Përgatiti: Fatlum Jashari
Rreth 120 është numri i përgjithshëm i punonjësve në listën e pagave në komunën e Zubin Potokut, por ende nuk janë mbushur zbrazëtitë e lëna nga dorëheqja e pothuajse të gjithë ish-zyrtarëve nga komuniteti serb më 2023.
Pasi tregoi se nga ky total, 60-70 prej tyre i përkasin komunitetit shumicë në këtë komunë, kryetari Izmir Zeqiri tha, edhe pse jo në kapacitet të plotë, se të gjitha shërbimet dhe zyrat janë funksionalizuar.
“Kemi ofiqari që lëshojnë certifikata, kurorëzime, etj., natyrisht është zyra e stafit të regjistrimit civil, edhe zyra e tatimit ka filluar të regjistrojë pronat, inspeksioni gjithashtu, mirëpo jo me kapacitet të plota, ka nevojë ende të plotësohet staf, ka nevojë të trajnohen akoma zyrtarët”, tha Zeqiri.
Derisa si problem ai përmendi edhe nivelin e përgatitjes së zyrtarëve aktualë, ai shtoi se komuna që udhëheq ka hapësirë për një total deri në 200 punëtorë.
“Kemi bërë përpjekje, kemi pranuar kuadër. Mirëpo, sidoqoftë po shkon me njëfarë ngadalësie prej njëfarë presioni, dihet aty i takon shumicës serbe të jetë e punësuar në të gjitha dikasteret, mirëpo kemi arritur deri diku”, tha Zeqiri.
Për normalizim të shërbimeve kryetari tha se po përgatiten konkurse, teksa veçoi nevojën për së paku edhe pesë zyrtarë të gjendjes civile, meqë shërbimet tashmë janë të kufizuar në një nga zyrat komunale.
Në kuadër të punonjësve aktualë komunalë janë disa të arsimit dhe shëndetësisë, që punojnë sipas sistemit të Kosovës.
Zeqiri fitoi mandatin në zgjedhjet e parakohshme komunale, që u bojkotuan nga Lista Serbe – parti që vetë i kishte shkaktuar ato me dorëheqjet e kryetarëve nga radhët e saj.
Për disa muaj, Zeqiri ushtroi detyrën nga zyra në Çabër – para se të vendosej në objektin kryesor komunal në Zubin Potok.