PËRGATITI: BENITA ZENELI
Një ditë më parë, Komunës së Prishtinës iu ndaluan për herë të dytë punimet në sheshin Xhorxh Bush nga inspektorët e trashëgimisë kulturore.
Përfshirë edhe tri projekte të tjera, Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, po pretendon se Komuna e Prishtinës qëllimisht po lidh kontrata të kundërligjshme.
Këtu ka përmendur projektet për rrugën “Rexhep Luci”, “Ishullin Urban” dhe projektin në rrugën “Agim Ramadani”.
“Të gjitha këto investime realizohen brenda zonave të mbrojtura të trashëgimisë kulturore dhe ligji kërkon që para se të shpallen procedurat e të lidhen kontratat, duhet të pajisen me pëlqime përkatëse nga autoritetet e trashëgimis kulturore”, deklaroi ministri në detyrë Hajrulla Çeku.
Megjithatë sipas Çekut, kjo nuk është shkelja e vetme e Komunës, andaj ka ndërmarr edhe veprime.
“ne kemi dërguar edhe kallëzim penal por edhe kërkesë për fillimin e hetimeve në prokurori dhe polici, sepse kemi konstatuar përsëritje të veprimeve të komunës”, shtoi tutje Çeku.
ATV-ja tentoi të marrë një koment edhe nga kryetari i Prishtinës Përparim Rama lidhur me akuzat e Çekut mirëpo i njëjti preferoi të komentonte në profilin e tij në Facebook.
Punimet për projektin në sheshin Xhorxh Bush që kanë vlerë 18.4 milionë euro filluan më 10 mars por u ndalen vetëm dy ditë më vonë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.
Për këtë edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka dorëzuar kallëzim penal.