Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka nisur hetime ndaj qytetarëve që raportuan shqetësime shëndetësore pas protestave të 15 marsit 2025, me pretendimin se përdorimi i një pajisjeje akustike, e njohur në publik si “top zanor”, mund të jetë inskenuar.
Ky zhvillim ka nxitur reagime të forta nga mjekë në Serbi, të cilët paralajmërojnë se vënia në dyshim e dëshmive dhe simptomave të raportuara nga mijëra qytetarë mund të krijojë pasoja serioze për besimin në sistemin shëndetësor.
Sipas njoftimeve të autoriteteve serbe, hetimet janë zgjeruar pas bastisjes së Fakultetit Filozofik në Beograd dhe sekuestrimit të dokumentacionit, në kuadër të një rasti tjetër që lidhet me rënien e një studenteje nga kati i pestë i kësaj godine.
Zyrtarët e drejtësisë kanë pretenduar se ekzistojnë dyshime se studentët, para protestës së 15 marsit, mund të kenë diskutuar mundësinë e simulimit të përdorimit të një arme akustike.
Kryeprokurori Miodrag Markoviq ka deklaruar se janë formuar katër grupe për procedimin e rasteve që lidhen me protestat. Njëra prej tyre, sipas raportimeve, po merret me qytetarët që iu nënshtruan kontrolleve mjekësore në ditët pas protestës.
Kardiologu Ilija Srdanoviq, subspecialist në Institutin për Sëmundje Kardiovaskulare të Vojvodinës, ka thënë se është pothuajse e pamundur që një numër kaq i madh njerëzish të simulojnë të njëjtat shqetësime.
“Në teori gjithçka është e mundur, madje edhe që një mijë njerëz të thonë të pavërtetën në të njëjtën kohë. Por praktika është krejt tjetër. Jam i bindur se dëshmitë që njerëzit u kanë dhënë mjekëve për incidentin janë të sakta. Një pajisje e tillë mund të shkaktojë pasoja somatike në shëndetin fizik, ndërsa që mijëra njerëz të trillojnë diçka të tillë është thjesht e pamundur”, ka deklaruar ai.
Srdanoviq ka paralajmëruar se mjekët do t’i drejtohen Odës së Mjekëve të Serbisë për të mbrojtur pacientët, por edhe kolegët që kanë kryer kontrollet dhe kanë dokumentuar gjendjen e tyre shëndetësore.
Edhe pulmonologia Slavica Pllavshiq ka reaguar ndaj qasjes së prokurorisë, duke thënë se hetimi duhej të ishte zhvilluar menjëherë pas protestës, përmes mbledhjes së pavarur dhe transparente të dokumentacionit mjekësor.
“Shtrohet pyetja pse dilema nëse qytetarët i kanë imagjinuar apo trilluar shqetësimet po ngrihet vetëm tani. Nëse do të kishte pasur vullnet serioz për të vërtetën, do të ishte bërë menjëherë një analizë sistematike dhe e pavarur”, ka thënë ajo.
Sipas saj, shumë qytetarë pas protestës kishin raportuar dhimbje koke, të përziera, zhurmë në veshë dhe çorientim. Ajo ka theksuar se edhe në rastet kur mund të ekzistojë një komponentë psikogjene, kjo nuk do të thotë se simptomat janë të rreme.
“Bëhet fjalë për njerëz që kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe jo për rrëfime abstrakte në rrjetet sociale. Reagimi i organizmit ndaj një ngjarjeje që perceptohet si kërcënuese është real”, ka deklaruar Pllavshiq.
Ajo ka ngritur gjithashtu shqetësime për pretendimet se disa mjekë, gjatë natës së protestës, kanë kërkuar udhëzime nga drejtuesit e spitaleve lidhur me trajtimin dhe dokumentimin e rasteve të pacientëve.
“Nëse kjo është e vërtetë, atëherë bëhet fjalë për presion serioz politik mbi sistemin shëndetësor dhe mbi mjekët, si dhe për mundësinë e kufizimit të kujdesit shëndetësor për qytetarët”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, ortopedi Danijel Raspopoviq i ka cilësuar pretendimet e institucioneve të drejtësisë si fyerje të drejtpërdrejtë ndaj pacientëve dhe stafit mjekësor.
Mjekët kërkojnë që hetimi teknik për pajisjet e mundshme akustike të ndahet nga vlerësimi i gjendjes shëndetësore të qytetarëve, duke paralajmëruar se diskreditimi i pacientëve mund të dëmtojë rëndë besimin publik në institucionet shëndetësore dhe shtetërore.





