E ardhmja e Romelu Lukakut te Napoli po bëhet gjithnjë e më e paqartë, ndërsa sulmuesi belg mund të jetë duke iu afruar një largimi nga Italia.
Në garë për shërbimet e tij është Fenerbahçe, që tashmë ka bërë ofertën e parë zyrtare për 33-vjeçarin. Megjithatë, propozimi i klubit turk nuk ka bindur drejtuesit e Napolit.
Sipas raportimeve nga Italia, Fenerbahçe kishte ofruar rreth 5 milionë euro për kartonin e Lukakut, por Napoli e ka konsideruar këtë shumë të pamjaftueshme dhe e ka refuzuar menjëherë.
Klubi italian vlerëson sulmuesin belg rreth 10 milionë euro dhe dëshiron të arrijë sa më afër kësaj shifre në rast të një shitjeje gjatë kësaj vere.
Por transferimi nuk varet vetëm nga marrëveshja mes dy klubeve. Edhe kërkesat financiare të vetë Lukakut mund të paraqesin një tjetër pengesë.
Sulmuesi raportohet se kërkon një pagë prej rreth 10 milionë eurosh në sezon, një shifër që Fenerbahçe duhet ta marrë seriozisht parasysh nëse dëshiron ta bindë belgut të transferohet në Turqi.
Pavarësisht refuzimit të ofertës së parë, negociatat nuk janë mbyllur. Fenerbahçe pritet të rikthehet me një propozim të përmirësuar, ndërsa të dyja palët vazhdojnë të jenë në kontakt.
Napoli është i gatshëm të dëgjojë oferta, sidomos duke pasur parasysh se kontrata e Lukakut skadon në verën e vitit 2027.
Pra, marrëveshja nuk duket ende afër, por as e pamundur. Tashmë topi është në fushën e Fenerbahçes, nëse klubi turk rrit ofertën dhe arrin marrëveshje me Lukakun për pagën, transferimi mund të marrë një kthesë të madhe në ditët e ardhshme.





