Rreth 200 familje të Mitrovicës Jugore të cilat janë prekur nga vërshimet e janarit ende nuk janë kompensuar për dëmet shkaktuara.
Vlera e dëmit llogaritet të jetw rreth 9 milionë euro, ndërsa në veri mbi gjysmë milion.
Nënkryetari i komunës së Mitrovicës Jugore, Arianit Tahiri tha se çështja është ende në proces në Ministrinë e Financave.
“Vlera prej 500 mijë eurosh që është ndarë me propozim të kryetarit të Komunës dhe me votim unanim të Asamblesë të Kuvendit Komunal të Mitrovicës është procesuar në Ministrinë e Financave për alokim dhe në bazë të informacioneve të cilat aktualisht i kemi, janë çështje procedurale të cilat duhet të kalojnë nga zyra e ministrit të Financave… dhe presim përfundimisht që në këtë muaj të bëhet ekzekutimi i këtyre mjeteve tek familjet në nevojë”, tha nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri.
Sipas Kryesuesit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, Nexhat Uglani arsyeja e vonesës së kompensimit për familjet e prekura nga vërshimet është mosfunksionimi i punës në Komunë.
“Ende nuk e dimë sepse është mungesa e funksionalitetit këtu në pjesën veriore, kurse Komunat e tjera janë funksionale. Por, ne do të kërkojmë sa më shpejtë sepse njerëzit janë lodhur dhe janë kthyer në kushte jo adekuate, ndërsa ka familje që akoma nuk janë kthyer nëpër shtëpitë e veta… sepse nuk janë krijuar kushtet për një jetë normale”, tha Uglani.
Sipas tij, qeveria duhet të merr hapa më të shpejtë lidhur me këtë situatë, pasi që ka ende familje që nuk janë rikthyer në shtëpitë e tyre, e ka edhe raste të familjeve që po jetojnë ende në kushte jo adekuate.
Nga vërshime e janarit dëme kanë pësuar edhe shumë komuna të tjera në vend si Skenderaj, Istogu, Podujeva e Klina. /atvlive.tv