Ministrat e Mbrojtjes së NATO-s janë mbledhur sot në Bruksel për të vendosur mbi objektivat e reja të kapaciteteve ushtarake. Takimi u cilësua si vendimtar nga shefi i aleancës, Mark Rutte, i cili theksoi nevojën për “investime të mëdha” në mbrojtje ajrore, raketa me rreze të gjatë dhe struktura komandimi.
Në fjalën e tij, Rutte tha se vendet duhet të përgatiten për çdo skenar, duke sinjalizuar një plan të ri investimesh në mbrojtje që do të prezantohet së shpejti në Hagë. Ai shtoi se vendimet e sotme do të ndihmojnë në mbylljen e boshllëqeve që ka NATO në kapacitete reale ushtarake.
Në të njëjtën linjë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, bëri thirrje që secili shtet të kontribuojë me të paktën 5% për mbrojtjen, duke theksuar se siguria kolektive nuk mund të mbështetet vetëm te SHBA-ja.
Ndërkohë, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, paralajmëroi se Gjermanisë do t’i duhen deri në 60 mijë ushtarë shtesë për të përmbushur këto objektiva të reja. Ai theksoi se vendi duhet të shqyrtojë seriozisht rikthimin e shërbimit ushtarak për të garantuar një forcë të mjaftueshme në vitet që vijnë.