Mësimdhënësit do të vlerësohen për perfomancën e tyre

PËRGATITI: DRITON SADIKU

Ministria e Arsimit ka bërë gati një udhëzim administrativ për vlerësimin e perfomancës së mësimdhënësve. Përveç mekanizmave të jashtëm, vlerësim për ta do të japin nxënësit, kolegët dhe drejtorët e shkollave. Njohësit e arsimit thonë se kjo do të ndikojë në rritjen e cilësisë, derisa si e tillë po përkrahet edhe nga SBASHK-u.

Për njohuritë që ua japin nxënësve, mësimdhënësit pritet të vlerësohen së shpejti. Kjo do të rregullohet me udhëzim administrativ, që tashmë është bërë gati nga Ministria e Arsimit. Madje, për punën e tyre, vlerësim do të japin edhe nxënësit, kolegët e drejtori i shkollës.

Përveç kësaj, mësuesit do të vlerësohen edhe nga mekanizma të jashtëm, që do ta monitorojnë punën e tyre. Po ashtu, ata do të vlerësohen edhe për sjelljet me nxënës, njohuritë, shkathtësitë e angazhimin profesional të tyre.

Udhëzimi administrativ parasheh që këto vlerësime të bëhen gjatë 4 fazave, që përfshijnë vlerësimin në hyrje të profesionit, gjatë fazës së mësimdhënies me licencë të karrierës, atë me licencë të avancuar dhe në fazën me licencë të përhershme.

Një vlerësim i tillë për njohësit e arsimit është në të mirë të cilësisë.

“Paraqet goxha një ristrukturim të asaj se si është bërë vlerësimi i perfomancës së mësimdhënësve deri më sot, pra nxit për vlerësim të vazhdueshëm të perfomancës së mësimdhënësve dhe, më e rëndësishmja, i prezanton një seri mekanizmash, përfshirë atë me bazë në shkollë, që do të na garantojë një vlerësim të perfomancës që nuk është ndëshkues, por mbi të gjitha është përkrahës për punën e mësimdhënësve”.

Përkundër se qe kategorikisht kundër testimeve me shkrim për mësimdhënësit, për çështjen e vlerësimit është dakord edhe Sindikata që mbron të drejtat e tyre.

Edhe ajo pranon se një gjë e tillë do të rriste cilësinë në arsim, vetëm së kërkon që kjo të bëhet nga inspektorë të avancuar.

“Ne sado që është përdorur ajo fjala “testim me shkrim” eventual të njohurive për mësimdhënësit, e kemi kundërshtuar, por kemi insistuar edhe në takimet me MASHT-in, që të shtohen kapacitetet njerëzore të departamenteve e inspektorëve që ata të shkojnë në shkolla të vizitojnë mësimdhënësit tanë për të parë nga afër punën e tyre dhe pse jo të këshillohen që lëshimet eventuale që i përcjellin gjatë punës së përditshme t’i tejkalojnë”.

Udhëzimi administrativ tashmë ka dalë në konsultime publike dhe SBASHK-u thotë se presin që të dërgohen sa më shumë komente edhe nga drejtoritë komunale të arsimit.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA