2.7 C
Pristina
E premte, 22 Nëntor, 2024

Mërgimtari me letër të hapur kryetarit të Dragashit, i tregon nevojat urgjente pas vërshimeve të fundit

Bashkatdhetari dr. Miran Sadiku i drejtohet me letër kryetarit të komunës së Dragashit

Vërshimet e fundit në komunën e Sharrit që erdhën si pasojë e reshjeve të mëdha atmosferike shkaktuan dëme të mëdha veçmas në fshatrat e rajonit të Opojës. Fshatrat më të prekura nga këto vërshime ishin Kuki, Bresana, Blaçi dhe Kosava.

Ndërkohë që banorët e këtyre fshatrave të përmbytura nga ujërat e lumenjve që dolën nga shtrati i tyre, po angazhohen në sanimin e dëmeve dhe normalizimin e gjendjes, qeveria komunale ka caktuar një ekip i cili po merret me vlerësimin e dëmeve në mënyrë ato të kompensohen nga institucionet qendrore dhe ato lokale.

Një ditë pas vërshimeve komunën e Dragashit e ka vizituar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili pasi ka parë nga afër dëmet e shkaktuara nga vërshimet, ka premtuar se Qeveria nga fondi i emergjencave do të ndajë mjete për t’i ndihmuar të goditurit nga këto përmbytje.

Këto vërshime kanë shqetësuar edhe opojanët e shumtë që jetojnë në mërgim, veçmas ata me prejardhje nga fshatrat e përmbytura, të cilët në forma të ndryshme janë mobilizuar për t’i ndihmuar bashkëvendësit që pësuan nga këto përmbytje.  Njëri nga ta është dr. Miran Sadiku nga fshati Kuk, i doktoruar në Austri i cili për momentin jeton në Zvicër ku punon si Këshilltar social për çështje të migracionit.

Dr. Mirani dy ditë pas vërshimeve ia ka nisur një letër të hapur kryetarit të komunës së Dragashit, Bexhet Xheladinit në të cilën shpreh shqetësimin e tij për gjendjen e krijuar nga përmbytjet si dhe propozon disa rrugëzgjidhje konkrete për daljen nga kjo situatë por edhe për parandalimin e rreziqeve të tilla. Ai në letrën e tij të ilustruar edhe me disa fotografi që pasqyrojnë rregullimin e shtretërve të lumenjve në vende të ndryshme evropiane, thekson se veprime të tilla duhet të merren edhe në komunën e Dragashit. Si mundësi konkrete për ndihmën në sanimin e dëmeve,  dr. Mirani propozon organizimin e një aksioni për grumbullimin e mjeteve nga mërgimtarët e kësaj ane, duke e përmendur një shumë simbolike nga 50-100 euro për çdo mërgimtar…

Në vazhdim po e publikojmë në tërësi letrën e dr. Miranit drejtuar kryetarit të komunës, të shoqëruar nga një biografi e shkurtër e tij. 

Referencë: Vërshimet e datës 26.07.2024 në Opojë

I nderuri Kryetar i Komunës z. Bexhet Xheladini,

Unë shpresoj dhe besoj në gatishmërinë tuaj për të ndihmuar dhe gjetur zgjidhje sa më të shpejtë dhe afatgjate për situatën e fundit në Opojë, e sidomos në fshatrat e prekur nga vërshimet e datës 27.06.2024.

Në rrethana të tilla marr guximin t’ju drejtohem për të kërkuar fokusin tuaj për rimëkëmbjen dhe sanimin e dëmeve marramendëse në zonat e prekura.

Edhe fshati Kuk e ka pësuar shumë herë nga mosmirëmbajtja e lumit dhe degradimi total i tij në vitet e fundit. Shkaqet janë të njohura, pasi shumë fshatra janë të prekur nga dukuria e hedhjes së plehrave të kafshëve dhe bërllokut të konsumit ditor.

Unë mendoj, se ju e keni mundësinë për të mbetur në kujtesën e opojarëve, sidomos pas kësaj ngjarje tragjike. Pikërisht me nismën  e një projekti për Rindërtim.

Opoja ka me dhjetëra ndërtimtarë e arkitektë të mirëfilltë, të cilët do ju ofronin plane konkrete pa pagesë për rregullimin e shtretërve të lumenjve. Ju duhet vetëm t’ua kërkoni këtë bashkëpunim, pavarësisht nëse këta ekspertë e kanë braktisur Opojën ose jo.

Problemet me gypat e ujësjellësit dhe ujërave të zeza ka qenë shkaku kryesor që shumë iniciativa për pastrimin e lumit janë shuar në Kuk, akoma pa filluar fare. Shumë shtëpi (para vërshimeve të fundit), kanë pasur gypat e ujit dhe të kanalizimit në lum. Për pasojë, çdo përpjekje për të pastruar përkatësisht rregullimin e shtratit të lumit, haste në kundërshtimin e atyre familjeve, pasiqë në rast të rregullimit të shtratit të lumit, ato do të mbeteshin pa ujë dhe pa kanalizim.

Vërshimet e fundit vetëm sa nuk rrafshuan shtëpitë e fshatrave, e për shtratin e lumenjve nuk do koment.

Fondet shtesë nga qeveria qendrore dhe lokale, ndihma nga kompanitë ndërtuese, por edhe kontributet solide hiç më shumë se nga 50-100 €, nga mërgimtaret (çdo shtëpi tashmë ka një të tillë), do ta transformonin Kukin, por edhe fshatrat e tjera në fshatra atraktive për jetë, dhe jo si vendbanime, nga frika prej vërshimeve të ardhshme, që mund të kushtojnë edhe me jetë njerëzish.

Opojarët e njohin Evropën prej më shumë së 65 vitesh, atëherë edhe kur të paret tanë ikën për jetë më të mirë. Patjetër se pastërtia e lumenjve në Evropë është prej gjerave që na mbeten në kujtesën tonë.

Edhe në Perëndim ka vërshime të llahtarshme dhe shpesh bile me viktima në njerëz.

Pushteti lokal, qendror dhe shoqëria civile aktivizohen këtu dhe ja dalin për t’i kaluar problemet pas vërshimeve.

Neve nuk na mungon asgjë me pak se perëndimorëve. Ne kemi bile një përparësi, ne besojmë në Zotin Një dhe i frikësohemi atij.

Fotot e bashkangjitura pasqyrojnë rregullimin e lumenjve në vende të ndryshme evropiane. Edhe në Kosovë ka disa lumenj të rregulluar për mrekulli.

Ju dëshiroj shumë shëndet dhe suksese në punën tuaj,

Me respekt.

Miran Habil Sadiku

Biografi e shkurtër e autorit të letrës:

Dr. Miran Sadiku është lindur me 26 Korrik 1980 në fshatin Kuk të Opojës.

Pas fillores ai vijoi shkollën e mesme të Mjekësisë në Bresanë për katër vite. Disa javë pa mbaruar Maturën, si të gjithë opojanët tjerë u detyrua të kaloj në Kukës si refugjat. Atje punoi me Profesorin (mjek) Kujtim Kryeziu, fillimisht në qendrat e refugjatëve si teknik medicinal, pastaj u vendos në Spitalin e qytetit të Kukësit me Pediatrin e mirënjohur opojan Dr. Fehim Sadikun.

Mirani nisi studimet në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në dhjetor të vitit 1999, drejtimi i Sociologjisë ku edhe diplomon në vitin 2003, me një punim empirik të parin në Sociologjinë e Moshës dhe të Familjes.

 

Në vitin akademik 2007/08 filloi me punimin e Disertacionit në Universitetin “prof. Johann Bacher”, në Linzz të Austrisë, në fushën e Kriminologjisë dhe Sociologjisë së të Rinjve, me Fokus konsumin legal dhe ilegal të shkollarëve përkatësisht dhunën në shkolla.

Gjatë kësaj kohe ai mori pjesë në disa konferenca shkencore në vende të ndryshme evropiane, si: konferenca ndërkombëtare në Universitetin e Krakau në Poloni në vitin 2009, në Universitetin e Prishtinës – për Studentet e nivelit Master në lëmin e Statistikës në vitin 2011, në konferencën e organizuar nga Universiteti i Grazit me atë të Prishtinës mbi Familjen dhe sigurinë Sociale, në Prishtine në vitin 2013.

 

Si 30 vjeçar doktoron në lëmin e shkencave sociale dhe ekonomike me fokus Kriminalsociologji dhe përpunim i të dhënave po në Universitetin e Linzit, ku më vonë, fillon edhe me punë si bashkëpunëtor shkencor për afër dy vite.

Ne vitin 2013 në bashkëpunim me Koleget e Institutit për Sociologji në Universitetin e Linzit prezantojnë studimin: “Shqiptarët në Austri dhe jeta e tyre“. Ky punim voluminoz gjendet në Bibliotekat e qytetit dhe Universitetit të Linzit.

Mirani ka punuar në Projekte me dhe për të rinj në bfi „Berufsförderungsinstitut“ LINZ sidomos prej vitit 2014 deri 2016. Ai kreu me sukses edhe certifikimet si Trajner profesional për të rritur dhe të rinj në Wien në Institutin EWI në vitin 2015.

 

Nga 2017  deri nga fundi i 2018 ai është zhvendosur me punë në kryeqytetin e Austrisë, si konsulent për punësim dhe edukim, projekt ky i Ministrisë për punë dhe çështje sociale.

Prezantimi i punimit të tij të radhës ishte në “European Conference on Social and Behavioral Sciences” e cila u mbajt në Prizren, në maj të vitit 2018.

Ne konferencën shkencore Eurasian Conference on Language and Social Sciences (2022) prezantoi punimin me temën “Corona Virus – its impact on social life”.

 

Mes viteve 2018 dhe 2021 punoi si Koordinator për integrime dhe Projekt-menaxher në Fondin Austriak të Integrimit “ÖIF” në Linz të Austrisë.

Nga fillimi i vitit 2022 deri ne fund të vitit 2023 ka pasur pozitën e “Case Manager” në projektin e njohur si “fit2work” të Ministrisë së punëve dhe çështjeve sociale të Austrisë. Gjatë këtyre dy viteve ka mbaruar me sukses edhe shkollimin në Case Management.

 

Në fund të vitit 2023 merr një ofertë nga Kompania ndërkombëtare «ORS Gruppe» me seli në Zürich të Zvicrës për të punuar si Këshilltar social për Komunat e Zürichut për çështjet e migracionit, përkatësisht këshillimin  e azilkërkuesve në procesin e Integrimit në shoqërinë vendase. (D.Reshiti)

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA