Mediat italiane: Edon Zhegrova meriton më shumë minuta te Juventusi

Paraqitjet e fundit të Edon Zhegrovës me fanellën e Juventusit kanë tërhequr vëmendjen e mediave italiane, të cilat po i bëjnë thirrje trajnerit Luciano Spalletti që t’i besojë më shumë minuta yllit të Përfaqësueses së Kosovës.
Sulmuesi kosovar po dëshmon se mund të jetë një armë e rëndësishme për “Zonjën e Vjetër”, sidomos me shpejtësinë, teknikën dhe aftësinë e tij për të krijuar raste në fazën ofensive.
Reklamë
Në përballjen ndaj Napolit, Zhegrova la gjurmë të rëndësishme, duke kontribuar në fitoren 2-0 të Juventusit. Hyrja e tij në lojë solli më shumë rrezik në sulmin bardhezi, ndërsa driblimet dhe tentimet e tij vendosën vazhdimisht në vështirësi mbrojtjen kundërshtare.
Ajo që ka rënë veçanërisht në sy është ndikimi i menjëhershëm i kosovarit, i cili në një periudhë të shkurtër arriti të krijonte më shumë rrezik sesa disa prej sulmuesve të tjerë të Juventusit.
Pikërisht për këtë arsye, mediat e njohura italiane dhe evropiane kanë vlerësuar paraqitjen e tij, duke theksuar se Spalletti duhet t’i japë më shumë hapësirë në formacion.
Edhe pse konkurrenca në repartin ofensiv të Juventusit është e madhe, Zhegrova po shfrytëzon çdo mundësi për të dëshmuar vlerat e tij dhe për të bindur trajnerin se meriton një rol më të rëndësishëm në skuadër.
Tashmë mbetet të shihet nëse Spalletti do t’i përgjigjet këtyre vlerësimeve dhe do t’i japë më shumë minuta yllit kosovar në ndeshjet e ardhshme.
Reklamë







