Përgatiti: Arian Hajdaraj
Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi e Zubin Potoku, ishin cak i Policisë për kryerjen e shumë aksioneve, gjatë vitit 2023.
“Ka ardhë koha që ne të veprojmë – kemi vepru. Sfidat kanë qenë të mëdha. Rasti në Banjskë, vrasja e Afrimit. Sulmet me armë. Bllokadat. Ka pasë shumë aktivitete. Por duhet të pasqyrohen në raport të veçantë”, tha zëvendësdrejtori i stacionit të Policisë në Veri, Veton Elshani.
Kështu, niveli i sigurisë në këtë pjesë të Kosovës, sipas zëvendësdrejtorit të policisë, ka arritur në fazë ku nuk mund të ketë kthim prapa.
“Mund të them se asnjëherë nuk ka qenë më në kontroll. Këtë e kemi pa në praktikë. Ndryshe ka qenë në nëntor të vitit të kalum dhe në prill të këtij viti. Ndryshe është sot. Tash mund të dalësh me makinë dhe lëviz kudo në veri”, tha Elshani.
Për të arritur në këtë pikë, një moment konsiderohet pikë e vërtetë kthese – aksioni në Banjsjkë.
“Konsideroj që nëse flasim me matematikë: 10 për qind kanë ndiku veprimet para Banjskës, dhe 90 për qind ka ndiku reagimi në Banjskë, në kthesën për kontroll. Banjska e ka pasë viktimën, po mënyra e reagimit tonë, ka tregu se jemi të vendosur, nuk do të thotë që nuk munden me na dëmtu, por ne jemi të vendosur në rrugën tonë”, tha Elshani.
“29 maj. Nuk duhet me e harru këtë datë. Sepse gjithçka filloi aty e kulmoi më 24 shtator. Prej asaj dite dhe tani ku po flasim, është arritur një qetësi”, tha Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë.
Megjithatë, vlerësohet se ende kanë mbetur punë të pakryera.
“Ne kemi sfida të tjera. Kemi banesa të uzurpume, të cilat duhet me u liru me abitat. Ura psh: është simbol i ndarjes, nuk ka asnjë arsye me qenë ashtu”, tha Elshani.
“Në 2024 pres që në veri të shtrihen edhe institucionet e tjera siç është edhe ARBK-ja, regjistrimet e bizneseve, njerëzit duhet të fillojnë të paguajnë taksa, ujë rrymë…”, tha Elshani.
Asgjë nuk do jetë siç ka qenë. Organet tona janë konsolidu. Kanë kapacitete për veprim në çdo kohë e çdo vend, për arsye sepse e mbrojnë”, tha Dashevci.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian është në pritje të një raporti përfundimtar të institucioneve të Kosovës, lidhur me hetimet për sulmin terrorist në Banjskë.





