Përgatiti: Kastriot Tahiri
Banorët e fshatit Gjonaj të Prizrenit, pritën dy muaj që dikush t’ua rregullojë një problem që patën me energji elektrike.
Meqë problemi nuk u rregullua, banorët e lagjes Brejze vendosën t’ia vënë flakën trafostacionit, në shenjë revolte.
Kjo, sipas banorëve, ishte e vetmja mënyrë që KEDS-i të vinte për ta ndërruar trafon.
“Kjo është në shenjë pakënaqësie për këtë çka është duke ndodhë, kemi ba përmbi 100 kërkesa po krejt premtime të kota, s’ka pasë plan për këtë edhe ka ardhë deri te kjo revoltë”, tha Besnik Demiraj, banor i fshatit Gjonaj.
Revoltën e të rriturve e pësuan fëmijët. Në mungesë të energjisë elektrike, edhe mësimi në shkollën e fshatit u mbajt vetëm në tri orët e para.
Por, inatosja e banorëve rezultoi e efektshme, ngase KEDS-i të enjten, doli në terren dhe ndërroi trafon e djegur.
Zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, përmes një përgjigje me shkrim për ATV-në, e ka dënuar sulmin, derisa kërkoi që rasti të zbardhet sa më parë.
“KEDS-i i ka informuar menjëherë organet e rendit. Një ekip i KEDS-it ka qenë dje në vendin e ngjarjes, bashkë me Policinë e Kosovës. KEDS-i dënon këtë akt të shëmtuar dhe fton organet e rendit dhe të drejtësisë që po merren me këtë rast, t’i sjellin para drejtësisë kryesit e tij”, thuhet në përgjigjen e KEDS-it.
Me rastin po merren edhe organet e rendit, prokuroria rastin e ka cilësuar si zjarrvënie, ndërkaq policia ka bërë të ditur se ka intervistuar disa banorë të fshatit.





