Përgatiti: Fatlum Jashari
Ka muaj që Qeveria ka në tavolinë Studimin e Fizibilitetit për Gazsjellësin Maqedoni e Veriut – Kosovë, si dhe Master-Planin e Gazit, dokumente të cilat për më se dy vjet i kërkonte për vendimmarrje eventuale për investime për gazifikim.
Mungesa e dokumenteve pati shërbyer si arsye për refuzimin e mundësisë për shtrirjen e infrastrukturës së gazit, përmes një donacioni amerikan në vlerë 200 milionë dollarë, dhe riorientimin e mjeteve për blerjen e baterive.
Plani Fizibilitetit sqaron disa opsione për gazsjellësin Maqedoni i Veriut – Kosovë, duke rekomanduar në fund përdorimin e materialit 100% të përshtatshëm për tranzicion të mëvonshëm nga gazi në hidrogjen, sipas objektivave të BE-së.
Gazsjellësi i supozuar Shkup – Prishtinë parashihet të ketë gjatësi rreth 97 km, prej tyre 75 km në pjesën e Kosovës dhe afër 22 km në pjesën e Maqedonisë së Veriut.
Nga kostoja e përgjithshme e investimeve prej 98 milionë eurosh, pjesa e Kosovës vlerësohet të kushtojë rreth 72 milionë euro, ndërsa ajo e Maqedonisë së Veriut rreth 26 milionë euro.
Ndërtimi i gazsjellësit në pjesën e Kosovës, sipas studimit mund të bëhet për 49 muaj, ndërkaq në pjesën e shtetit fqinj për 38 muaj.
Si burime alternative të furnizimit me gaz përmenden Kroacia, Shqipëria dhe Greqia.
Ndërsa, Master Plani i Gazit detajon katër skenar të gazifikimit të Kosovë: (1) në shkallë të gjerë, (2) në shkallë të vogël, (3) industrial dhe (4) vetëm industrial.
Në rastin e parë kostoja e përgjithshme e investimit do të ishte 543 milionë euro, në të dytin 200 milionë, në të tretin 73 deri në 88 milionë dhe në skenarin e fundit, 64 deri në 78 milionë euro.
Tre skenarët e parë parashohin kapacitete gjeneruese prej 380 MW/h, me bazë gazin.
Varësisht skenarit, për ngrohje parashihet mundësia e shtrirjes së rrjetit në komunat me mbi 20 mijë banorë, ndërsa energji elektrike përmendet skenari për zhvillimin e dy njësive gjeneruese, me cak funksionalizimi në vitin 2028.
Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian, i publikuar javë më parë, theksoi faktin se përkundër se i ka në dispozicion dy dokumentet, nuk ka vendimmarrje lidhur me investime në sektorin e gazit.