“Masat hiqen kur vendos BE-ja, jo politikanët e Kosovës”

Përgatiti: Fatlum Jashari

Kryeministri Albin Kurti u shpreh i bindur se Bashkimi Evropian nuk ka më asnjë arsye që t’i mbajë në fuqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Në takimin e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, kryeministri vlerësoi se ato përbëjnë pengesë në rrugën evropiane të Kosovës.

“Masat që janë në fuqi ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në Bashkimin Evropian, sidomos edhe në planin e rritjes e me qëllimin e tij. Në anën tjetër, po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave në BE, në këtë kontekst kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, tha Kurti.

Edhe pse konfirmoi se ka diskutime, Bashkimi Evropian njoftoi se për vendimmarrje duhet pajtim i gjerë – nëse, kur dhe si mund të hiqen masat.

“Masat do të hiqen në momentin që shtetet anëtare vendosin. Kur shtetet anëtare vendosin, e jo politikanët e Kosovës. Pra, kur shtetet anëtare vendosin që nuk ka më arsye për t’i mbajtur masat në fuqi. Kjo nuk ka ndodhur deri tani, shtetet anëtare po vazhdojnë diskutimet dhe këto janë procese të brendshme. I kemi parë zgjedhjet në katër komunat në veri si një prej elementeve, por u takon shteteve anëtare, siç edhe thuhet në konkluzat e Këshillit të Punëve të Përgjithshme nga viti i kaluar. U takon shteteve anëtare të rivlerësojnë situatën dhe më pas me institucionet evropiane të vendosin nëse duhet hequr masat ose jo”, tha zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano.

Referuar votimit për shkarkimin e kryetarëve, si formë e shkaktimit të zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe në veri, zëdhënësi i bllokut 27-anëtarësh tha se problemi përbëhet nga një mori elementesh.

“Kur BE-ja vendosi masat, nuk ishte vetëm për një çështje të vetme, por kishte disa çështje, hapa, vendime dhe elemente që çuan BE-në te ky hap i vështirë, sigurisht. Kështu që nuk është vetëm për atë se çka është bërë për një çështje për heqjen e masave, ose se një masë është vendosur për një çështje të vetme nga këto zhvillime negative. Ka të bëjë me gjithë situatën, duam ta shohim të zgjidhur në tërësi. Të dyja palët kanë detyra që duhet t’i kryejnë, por në rastin e Kosovës, përfaqësuesit e Kosovës kanë qenë të informuar qartazi dhe në vazhdimësi se cilat janë pritjet e BE-së”, tha Stano.

Në qershor të vitit të kaluar, pas përshkallëzimit të situatës në veri – kur pas zgjedhjeve të bojkotuara nga Lista Serbe, kryetarë shqiptarë morën udhëheqjen e komunave me shumicë serbe – BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Masat përfshijnë pezullimin e projekteve të BE-së në Kosovë, kryesisht nëpërmjet fondeve IPA, derisa vlera e përgjithshme e mjeteve të bllokuara ose humbura vlerësohet të jetë rreth 300 milionë euro.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA