Përgatiti: Nora Luta
Gjykata Themelore e Prishtinës e dënoi me dhjetë vjet burgim Marko Roshiqin, për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanovcit. Roshiqit, qytetar nga Mitrovica e Veriut, gjykata i caktoi masën e paraburgimit, deri në plotfuqishmërinë e vendimit.
Por, ai një javë pas, nuk e ka zbatuar vendimin e gjykatës, e as Policia në veri nuk e ka hasur në adresën e banimit.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me rastin e shpalljes së aktgjykimit ka caktuar edhe masën e paraburgimit, për të akuzuarin M.R. Me të caktuar masën e paraburgimit, menjëherë është lëshuar aktvendimi për caktimin e masës së paraburgimit dhe i është dërguar Stacionit Policor në Veri për ekzekutim. Nga Stacioni Policor në Veri, Gjykata është njoftuar se ka shikuar për ekzekutimin e aktvendimit të Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit në fjalë, mirëpo nuk e ka hasur të akuzuarin në adresën e banimit, andaj Gjykata Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet sipas ligjit, të cilat janë dërguar në Polici për veprime të mëtejme”, tuhhet në përgjigjen nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Avokati Mahmut Halimi përmes telefonit i ka thënë televizionit se nuk ka pasur asnjë kontakt me klientin e tij, që nga seanca kur ishte mbajtur fjala përfundimtare.
Marko Roshiq, u dënua me 10 vjet burgim për veprën penale krim i organizuar, lidhur me veprën penale të vrasjes së rëndë.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, përshkruhet se ai ishte përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit, pasi me veturë kishte përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas, në rrobat e viktimës ishte gjetur një letër, me të dhënat e së njëjtës veturë.
Sipas aktakuzës vetura ishte në pronësi të Roshiqit, dhe ai kishte përcjellë pas vrasjes edhe vëllain e Ivanoviqit. Aktgjykimi në këtë rast u shpall të premten e kaluar, dhe asnjëri nga të akuzuarit nuk ishin të pranishëm.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:





