Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po hyn në fazën e fundit të tranzicionit, si pjesë e planit dhjetëvjeçar të transformimit të saj.
Sipas tij, dy fazat e para të këtij tranzicioni tashmë janë përmbyllur, duke përfshirë ndërtimin e strukturave organizative dhe krijimin e regjimenteve të këmbësorisë.
“Ne kemi përfunduar dy faza të tranzicionit: fazën e parë, që përfshinte gatishmërinë doktrinore, edukimin dhe organizimin e brendshëm, dhe fazën e dytë, ku synuam ndërtimin e kapaciteteve të këmbësorisë. Këtë vit, do të përmbyllim këtë fazë duke validuar regjimentin e tretë të këmbësorisë, që është thelbësor për operacionet luftarake të FSK-së”, tha Maqedonci.
Ai tha se faza e tretë e tranzicionit do të zgjasë deri në vitin 2028 dhe do të përqendrohet në ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe mbështetjes ajrore.
“Në këtë fazë synojmë të ndërtojmë kapacitetet në mbështetjen ajrore, mbrojtjen ajrore dhe zhvillimin e kapaciteteve të veçanta që do të mbështesin forcat ekzistuese. Kjo fazë do të përmbyllë të gjithë planin dhjetëvjeçar të tranzicionit të FSK-së”, u shpreh Maqedonci.
Deklaratën e plotë të Ejup Maqedoncit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: