Konflikti mes Tajlandës dhe Kamboxhias ka hyrë në ditën e tretë radhazi, me përplasje të ashpra që po shtrihen në zona të reja të kufirit. Të shtunën në mëngjes, shpërthyen luftime të tjera në provincën bregdetare të Tratit në Tajlandë dhe në Pursat të Kamboxhias – më shumë se 100 kilometra larg vijës së parë të përplasjeve.
Që nga nisja e tensioneve, janë raportuar mbi 30 të vrarë dhe rreth 130.000 persona të zhvendosur nga të dy anët. Kjo konsiderohet përplasja më e madhe ndërmjet dy vendeve në 13 vitet e fundit, sipas agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters.
Tajlanda pretendon se është sulmuar e para dhe ka vepruar në vetëmbrojtje. Edhe Kamboxhia mban të njëjtin qëndrim. Të dyja palët kërkojnë që pala tjetër të ndalojë sulmet dhe të rikthehet në tryezën e bisedimeve.
Burime zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes së Tajlandës raportojnë se janë vrarë 7 ushtarë dhe 13 civilë tajlandezë. Ndërkohë, Kamboxhia ka konfirmuar 5 ushtarë dhe 8 civilë të vrarë, sipas zëdhënëses Maly Socheata.
Përplasjet u nxitën pas vrasjes së një ushtari kamboxhian në fund të muajit maj. Si pasojë, forcat ushtarake të të dy vendeve u përforcuan ndjeshëm në kufi. Situata ka shkaktuar edhe krizë politike brenda Tajlandës.
Në provincën kufitare të Sisaketit, një universitet lokal është kthyer në strehë të përkohshme për të zhvendosurit. Aty aktualisht po strehohen më shumë se 5.000 qytetarë.