Përkundër vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Qeveria është pozicionuar kundër nënshkrimit të kontratës për furnizim me insulina, nga kompania e përzgjedhur, e cila nuk është e pajisur me certifikatë të cilësisë së barnave.
Në ditën kur skadon afati pesëditor që OSHP-ja i ka dhënë Ministrisë së Shëndetësisë për nënshkrimin e kontratës, ministri Arben Vitia akuzoi këtë organ dhe Prokurorinë për presion të paligjshëm ndaj tij.
Megjithëkëtë, ai tha se nuk do ta nënshkruajë kontratën që e vlerëson të jashtëligjshme.
“Ministria e Shëndetësisë shpreh shqetësimin në lidhje me presionin e paligjshëm që po i bëhet nga Organi Shqyrtues i Prokurimit dhe Prokuroria e Shtetit, në lidhje me aktivitetin e prokurimit për furnizim me insulina. OSHP-ja dhe Prokuroria kanë ndërmarrë veprime të koordinuara për të bërë presion mbi Ministrinë e Shëndetësisë, që kontrata të nënshkruhet një operatori i cili as nuk ka aplikuar për autorizim marketing, i cili është obligativ, sipas Ligjit për produkte dhe pajisje medicinale dhe po ashtu është gradacioni i cilësisë së sigurisë dhe efikasitetit të barnave”, tha Vitia.
Madje, Vitia tha se nuk do të marrin vendime të jashtëligjshme për të rrezikuar shëndetin publik.
“Pavarësisht vendimeve të OSHP-së dhe presionit nga hetimet penale që po bëhen edhe nga Prokuroria Speciale në Kosovë, sipas informacioneve të fundit, edhe pse zyrtarisht nuk kemi asgjë… Ne jemi para dy zgjidhjeve si Ministri e Shëndetësisë: ose ta ruajmë shëndetin e qytetarëve dhe vetë të rrezikojmë dënimin ose të rrezikojmë shëndetin e qytetarëve, në emër të asaj që ne ruhemi nga dënimi potencial. Si ministër, por edhe si mjek në këtë rast, edhe në aspektin ligjor dhe moral është obligim shëndeti i qytetarëve mbi të gjitha, në çdo rast dhe para çdo zgjedhjeje. (OSHP dhe Prokuroria e Shtetit) Në praktikë me këto vendime sikur janë vënë në shërbim të një mafie farmaceutike. Prapë për motive për ne të panjohura”, tha Vitia.
Për këto arsye, Qeveria i propozoi Kuvendit shkarkimin e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi, e cila ka udhëhequr panelin që ka nxjerrë vendimin lidhur me tenderin për insulina pa certifikatë të cilësisë.
“I propozojmë kuvendit shkarkimin e anëtares së OSHP-së, Kimete Gashi, e cila ka udhëhequr panelin që ka marrë vendimin e dëmshëm në kurriz të qytetarëve. Nuk ka ligjshmëri e as punë për të mirën e interesit publik kur vendimmarrja anashkalon interesin e qytetarëve e aq më tepër kur ajo shkel ligjin në fuqi. Brenda kompetencave që ka, Qeveria do ta dënojë çdo sjellje e veprim të dëmshëm, pa marrë parasysh subjektin që merr vendimin”, kryeministri Kurti.
Në këto rrethana, Vitia tha se rrezikohen më së shumti 15 mijë pacientë të varur nga insulina.
Se duhet t’i blejnë insulinat nga xhepi i tyre e thonë pacientët dhe familjarët e tyre.
“Jam vetë fillestare me diabet, po duhet me i ble, është shqetësuese. Institucionet duhet me bo zgjidhje për t’i siguruar e jo familjarët”, tha Drita Komati, paciente.
“Vëllain e kom me diabet, gjithmonë shkojmë i blejnë insulinat në Ferizaj, kushtojnë koxha shumë. Insulinat i sigurojmë barnatore prej barnatore, të paktën me i dal për
një muaj”, tha Hamdi Demiri, familjar.
“Situata me insulina nuk është normale. Ministria e Shëndetësisë duhet me ndërmarrë diçka”, tha Luljeta Raqi, familjare.
Ndryshe, ky tender është hapur në fund të vitit 2020, kur ministër ishte Armend Zemaj e sekretar i atëhershëm ishte Ardian Mehmetaj. Ndërsa prej vitit 2021, menaxherët aktualë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë kërkuar që ky tender të anulohet e më pas, në një tender të ri të aplikojnë kompanitë që kanë Autorizim Marketingu. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë: