Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se nuk u beson exit poll-eve, por beson se Partia Demokratike e Kosovës ka shënuar një ngritje të dukshme në komunën e tij.
Ai falënderoi qytetarët e Drenasit për daljen masive në zgjedhje dhe theksoi se kjo tregon një përkushtim të madh qytetar ndaj procesit demokratik.
“Duhet t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Drenasit për një dalje masive në zgjedhje. Kanë kryer një detyrim kushtetues në mënyrë jashtëzakonisht të mirë, me një pjesëmarrje prej 26,820 votuesish. Jam shumë i lumtur dhe falënderoj për qetësinë dhe organizimin e tyre, duke dëshmuar edhe një herë që jemi qytetarë kampion, komunë kampione,” tha Lladrovci.
Duke folur për rezultatet e zgjedhjeve, ai theksoi se nuk ka bërë sondazhe dhe nuk i beson exit poll-eve, por rezultatet fillestare tregojnë një fitore të thellë të PDK-së në Drenas.
“Nuk kam bërë sondazhe dhe nuk i besoj shumë exit poll-eve, por nga rezultatet e para që kemi marrë, ne jemi fitues mbi 80 për qind në disa klasë votimi. Kjo nuk do të thotë që e gjithë komuna është vetëm e jona, por besoj se rezultati do të jetë shumë i thellë për PDK-në në Drenas,” tha Lladrovci.
Deklaratën e plotë të Ramiz Lladrovcit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: