spot_imgspot_img
spot_img

Lista Serbe thotë se është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e reja në veri

Përgatiti: Arton Hamiti

341 ditë pas braktisjes së institucioneve të Kosovës, pjesëtarë të komunitetit serb, siç duket e kanë ndryshuar qëndrimin.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, të premten, tha se partia më e madhe e serbëve të Kosovës, është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e reja komunale në katër komunat veriore.

Nga Mitrovica e Veriut, kreu i partisë që gëzon mbështetjen e Beogradit, theksoi se ky vendim u mor në koordinim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Këtë herë, ne do ta dëgjojmë këshillën e presidentit Vuçiq dhe sot po dërgojmë një mesazh se jemi gati të marrim pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës dhe kështu të inkurajojmë procesin politik dhe dialogun që do të çonte në përmbushjen e kushteve tona, që i kemi theksuar vazhdimisht deri më tani. Kjo është arsyeja pse ne i kërkojmë Prishtinës të shpallë zgjedhje të parakohshme lokale për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovës dhe sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Rakiq.

Rakiq, i cili në nëntor të vitit të kaluar, braktisi postin e ministrit për Komunitete dhe Kthim, shtoi se tani i takon Prishtinës të marrë vendim për zgjedhje të reja.

“Është e nevojshme që këta kryetarë komunash dhe këta këshilltarë komunalë të rremë, joligjor dhe jolegjitim, që kanë muaj që ngacmojnë qytetarët tanë, të japin urgjentisht dorëheqjen dhe të largohen, për të dalë nga godinat tona, sepse nuk janë përfaqësues të popullit tonë. Qëllimi i tyre i vetëm është t’i ngacmojnë shtetasit tanë”, tha Rakiq.

Sulmi terrorist i 24 shtatorit, sipas opinionistit Bekim Kabashi, ka ndikuar që Lista Serbe të ndryshojë qëndrim dhe ta kërkojë mbajtjen e zgjedhjeve në veri.

Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë, të cilët e morën detyrën pas zgjedhjeve të 23 prillit, zgjedhje këto që u bojkotuan nga serbët lokalë. Vendosja e tyre në zyrat komunale u përcoll me protesta të ashpra nga serbët lokalë, teksa sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe gazetarët.

Pasi ndaj Kosovës u vendosën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, ekzekutivi u zotua për riorganizimin e zgjedhjeve, përmes një udhëzimi administrativ, i cili ua mundëson qytetarëve t’i shkarkojnë kryetarët e komunave të tyre përkatëse, përmes një peticioni.

Bashkësia ndërkombëtare si rrugë më të mirë dhe të shpejtë e sheh dorëheqjen e kryetarëve, por një kërkesë të tillë, ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e ka konsideruar si kërkesë të Beogradit.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA