Piloti shtatë herë kampion i botës, Lewis Hamilton, është gati të mbyllë sezonin 2025 në Formula 1 dhe ka bërë të qartë se gjatë pushimit dimëror do të shkëputet plotësisht nga gjithçka, madje duke hedhur telefonin “në kosh”.
Hamilton iu bashkua Ferrarit në fillim të vitit, duke sjellë pritshmëri të mëdha dhe bujë të madhe. Megjithatë, britaniku u përball me vështirësi në përshtatjen me makinën dhe ekipin e ri.
Rezultatet më të spikatura përfshijnë fitoren në garën sprint në Kinë dhe vendet e katërta në Emilia Romagna, Britani, Austri dhe Shtetet e Bashkuara.
Duke folur për sezonin dhe vendin e tetë në garën e Abu Dabit në pistën Yas Marina, Hamilton tha:
“Në këtë moment, po pres vetëm pushimin. Të shkëputem, të mos flas me askënd. Askush nuk do të më gjejë këtë dimër. Nuk do ta kem telefonin me vete. Mezi po e pres këtë. Thjesht të shkëputem plotësisht nga matriksi.”
Kur u pyet nëse kishte ndjekur më parë këtë qasje, Hamilton u përgjigj:
“Jo veçanërisht. Zakonisht gjithmonë e kam pasur me vete, por këtë herë telefoni do të përfundojë në kosh.”
Ai shtoi se pushimi do t’i japë mundësinë të largojë nga vetja presionin e fotosesioneve dhe angazhimeve të përditshme:
“Të shkëputem? Do ta kuptoj sapo ta bëj. Por mezi pres të largohem nga e gjitha kjo. Çdo javë fotosesione e gjëra të tilla. Kjo është ajo që mezi pres një ditë, të mos kem më detyrimin t’i bëj.”. /ATVLIVE.TV







