13.6 C
Pristina
E enjte, 19 Shtator, 2024

Letra e Serbisë, BE: Marrëveshja dhe shtojca, ligjërisht obliguese në tërësi

Raporti: Fatlum Jashari

Zbatimi në tërësi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Shtojcës Zbatuese të Ohrit, sipas Bashkimit Evropian, është detyrim ligjor për Kosovën dhe Serbinë.
Bazë për këtë është neni 11 i Konventës së Vjenës për Traktatet.

Qartësimi i qëndrimit të BE-së u bë një ditë pas letrës, në të cilën Serbia theksoi se ujditë e 27 Shkurtit dhe 18 Marsit janë të pranueshme vetëm në kontekstin që përjashton çfarëdo lloj njohje të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në OKB.

“Bashkimi Evropian rithekson se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët. Zbatimi i saj është pjesë integrale e rrugës së tyre respektive evropiane. Marrëveshja me shtojcën e saj zbatuese u bë e detyrueshme nëpërmjet deklaratës së shkruar të Përfaqësuesit të Lartë, më 18 Mars 2023”, tha zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano.

Pasi letrën e cilësoi goditje për perëndimin, profesori Dritëro Arifi tha se Serbisë iu bë e qartë se pa zbatim nuk mund të integrohet në Bashkimin Evropian.

“Në njëfarë mënyre ka dalë kundër çfarëdo marrëveshjeje që ka nënshkruar apo që në të ardhmen e afërt çfarëdo që ndodh me këto marrëveshje. Kjo nënkupton një flakaresh i madh për BE-në, por edhe për SHBA-në, që Serbia nuk është e gatshme t’i normalizojë marrëdhëniet me Republikën e Kosovës. Në anën tjetër, BE-ja ka pasur një përgjigje shumë të saktë, të prerë për herë të parë, jo shumë me terma diplomatikë, por ka kërkuar në mënyrë eksplicite që marrëveshja të zbatohet në tërësi nga të dyja palët”, tha Arifi.

Përkundër rreziqeve eventuale, në këto rrethana, ai vlerësoi se Kosova duhet të bëjë marrëveshje me BE-në për zbatim të njëanshëm të obligimeve të saja, në këmbim të integrimit euro-atlantik.

“Duhet kuptuar që pesë vendet e BE-së janë edhe katër vendet e NATO-s, që nëse e kemi një pëlqim nga ato vende dhe, po themi, një konfirmim që rruga jonë do të jetë drejt BE-së dhe NATO-s, atëherë nuk shoh pengesa të zbatimit të kësaj marrëveshje, sepse përfitimi i Kosovës si shtet në marrëdhëniet ndërkombëtare do të jetë shumë më i madh sesa marrëveshja, të cilën Kosova është e obliguar ta zbatojë”, tha Arifi.

Në konkluzionet e miratuara më 12 Dhjetor, Këshilli për Çështje të Përgjithshme kërkoi nga Komisioni dhe Përfaqësuesi i Lartë që të propozojnë shtimin e zbatimit e Marrëveshjes dhe Shtojcës, në Kapitullin 35 në rrugën integruese të Serbisë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA