Kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja gjatë shqyrtimit në lexim të dytë të Projketbuxhetit 2024 ka paraqitur para deputetëve raportin e Komisionit me 64 amendamentet e propozuara kryesisht nga deputetët e opozitës, e të cilat sipas tij nuk kanë marrë përkrahjen e Komisionit.
Në këtë seancë deputetja nga LDK-ja, Hykmete Bajrami tha se pas disa ngjarjeve që kanë ndodhur, Qeveria është dashur të reflektojë dhe ta tërheq ligjin e buxhetit, duke shtuar që duhet të kthehet në rialokim komplet tjetër, e që sipas saj ky ligj të shkojë në lexim të tretë.
Ajo shtoi po ashtu se rezultatet e dobëta në testin PISA, duhet të jenë alarm për qeverinë. Sipas saj në krahasim me vitet e kaluara, Kosova nuk ka shënuar arritje në këtë drejtim.
“Qeveria është dashur të reflektojë dhe ta tërheq ligjin e buxhetit dhe ta kthejë për një rialokim komplet tjetër, ose të shkojë ky ligj nga sot në lexim të tretë. Me datën 5 dhjetor Kosova pranoi rezultatet e testit PISA, derisa në vitin 2018 kanë marrë pjesë 72 vende dhe Kosova është renditur e 72 në testin PISA të vitit 2022 kanë marrë pjesë 80 vende dhe Kosova është renditur në vendin e 79. Nëse krahasojmë vitin 2018 me 2022, Kosova në lexim ka nga 78 për qind e nxënësve të cilët kanë pas rezultat të pamjaftueshëm, dhe kjo për qindje e nxënësve me rezultat të pamjaftueshëm është ngrit në 83 për qind, në matematikë nga 76 për qind sa kanë pas rezultat jo të mirë është ngritur në 85 për qind dhe në shkencë nga 76 për qind kjo për qindje është ngritur 79 për qind ”, tha Bajrami.
Mes tjerash, ajo tha se sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit 33 për qind e shkollova në vend dhe 77 për qind të paraleleve nuk i përmbushin kushtet për të mbajtur mësim sipas kritereve ligjore që janë në fuqi.
“Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit 33 për qind e shkollova në vend dhe 77 për qind të paraleleve nuk i përmbushin kushtet për të mbajt mësim sipas kritereve ligjore që janë në fuqi për zhvillimin e arsimit në Kosovë. Rezultatet e PISA-s është dashur që të jenë një këmban dhe një shqetësim i jashtëzakonshëm për Qeverinë e Kosovës, dhe është dashur që projektligji i buxhetit të tërhiqet nga komis0oni për mbikëqyrjen e financave publike dhe të ketë komplet një rialokim tjetër. Është koha e fundit që arsimi në Kosovë të bëhet prioritet kombëtar, është koha e fundit që Kosova të merret seriozisht me riorganizimin e rrjetit të shkollave. Për rreth 13 vjet numri i nxënësve ka rënë për 300 mijë, ndërkohë që ne ende vazhdojmë të ndërtojmë shkolla në disa zona rurale dhe kemi mungesë të klasave dhe shkollave në zona urbane”, shtoi Bajrami.
Seanca e Kuvendit të Kosovës për shqyrtim të dytë të Projektbuxhetit 2024 në vlerë mbi 3.3 miliardë euro, nisi me një orë vonesë. /KP