Kutllovci: Nga stresi te depresioni – si ndikon ankthi në shëndetin mendor

Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, Faton Kutllovci, ka theksuar se stresi dhe ankthi po paraqiten gjithnjë e më shpesh si probleme serioze shëndetësore tek qytetarët.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Kutllovci ka deklaruar se ankthi shpesh maskohet me simptoma fizike si tharje e gojës, djersitje të duarve, rrahje të shpeshta të zemrës, dhimbje koke dhe pagjumësi.

“Me stresin ne ballafaqohemi gjatë periudhës kur është prezent stresori, shkaktari i cili e shkakton, dhe gjithsesi mund të marrë karakterin kronik, meqenëse vazhdimisht ballafaqohemi me situata të tilla. Në situatat kur personat ballafaqohen me frikën nga e ardhmja – çka nëse vdes, sëmurem, dështoj në realizimin e një synimi të caktuar – atëherë flasim për ankthin. Ankthi është një frikë që dallon nga frika normale: frikohesh dhe nuk e di nga çka frikohesh. Personat e manifestojnë kryesisht me simptoma fizike; ata, shumicën e herëve, shkojnë nëpër klinika, por realisht këto janë simptoma të ankthit”, ka thënë Kutllovci.

Ai shpjegon se ankthi lind nga frika për të ardhmen dhe ndjenja e pasigurisë, dhe nëse stresi vazhdon për një kohë të gjatë, mund të çojë në ulje të vullnetit dhe disponimit.

“Pacientët më thonë: ‘Jam mirë, por papritur vjen një siklet, më thahet goja, më djersiten duart, ndjej rrahje të shpeshta të zemrës, dhimbje koke, këputje te gjunjët, më vjen të qaj pa arsye dhe nuk fle dot’. Të gjitha këto janë simptoma përcjellëse të ankthit, sepse njeriu ballafaqohet me një ndjenjë zbrazëtie dhe shqetësimi të madh, si rezultat i përpjekjes së pavetëdijshme të organizmit për ta zgjidhur konfliktin intrapsikik, i cili më pas shoqërohet me simptoma trupore”, theksoi ai.

Kjo gjendje, në raste të caktuara, mund të shndërrohet në çrregullim të ankthit me simptoma depresive.

“Ballafaqimi i vazhdueshëm me stresin mund të çojë në rënie të disponimit dhe vullnetit, dhe mund të jetë njëri prej shkaktarëve të disponimit të ulët, por jo domosdo zhvillon depresionin. Ajo që ne e shohim është se kur njeriu ndodhet në situata të përjetimit të stresit, futet në një rreth vicioz: përjeton ankth, ankthi shkakton lodhje, lodhja sjell pagjumësi, pagjumësia ndikon në mendime, dhe mendimet e rrisin ankthin. Si rezultat i përjetimit të vazhdueshëm, fillojnë të zhvillohen simptoma të reja si tërheqja në vetvete, rënia e vullnetit dhe humbja e interesimit për gjërat që më parë i ka dashur – çka përbën një çrregullim ankthi të shoqëruar me depresion”, shtoi doktori.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA