Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ndryshimet në Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM) janë bërë me qëllim të kapjes politike të këtij institucioni nga pushteti. Sipas saj, këto ndërhyrje përbëjnë shkelje të Kushtetutës dhe rrezikojnë pluralizmin mediatik në vend.
Ajo tha se procesi i hartimit të ligjit ishte problematik, pasi ekspertët dhe organizatat mediale nuk u përfshinë seriozisht, ndërsa sugjerimet e tyre u injoruan nga Qeveria.
“Kur është bërë Ligji për Komisionin e Pavarur për Media, kemi kërkuar përfshirjen e ekspertëve, kemi dorëzuar komente dhe kemi kërkuar një grup punues të specializuar. Por disa ditë para Vitit të Ri, kryeministri e aprovoi ligjin pa ndryshime. Ky ligj është tepër problematik”, tha Kusari.
Sipas saj, ndryshimet në ligj synojnë kontrollin e KPM-së, duke rritur numrin e anëtarëve të bordit dhe duke krijuar mekanizma për shkarkimin e kryetarit të institucionit sipas dëshirës së pushtetit.
“Krejt ideja e ndryshimit të ligjit më të rëndësishëm për mediat ka qenë qysh me e kapë politikisht këtë institucion. Janë shtuar njëmbëdhjetë anëtarë në vend të shtatë, është ndryshuar mandati, dhe tani shkarkimi bëhet nëse një deputet deklaron se i ka humbur besimi. Kjo është shkelje e Kushtetutës, e cila garanton lirinë e medias dhe pluralizmin”, u shpreh Kusari.
Deklaratën e plotë të Flutura Kusarit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: