Përgatiti: Fatlum Jashari
Në vlerësimin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, takimi i së mërkurës, ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, është i rëndësishëm për ta mbajtur gjallë dialogun.
Kthimi në tavolinën e diskutimeve, sipas kryediplomatit evropian, është veçmas i rëndësishëm në kohën kur shtetet anëtare po shqyrtojnë propozimin e tij për heqjen graduale të masave ndaj Kosovës.
Teksa pret që rekomandimi i Borrell të kthehet në vendim, kryeministri Kurti tha se takimi bilateral dhe ai trelateral, më 26 Qershor, do të jenë në funksion të një ri-kapitulimi të viteve në dialog.
“Marrëveshja bazike e 27 Shkurtit, me pjesën integrale të saj, aneksin e zbatimit të Ohrit, të 18 Marsit, e bën normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje de-fakto në qendër. Kjo është zgjidhja evropiane e fqinjësisë së mirë, por e cila nuk është realizuar deri më sot”, tha Kurti.
Përfaqësuesi i Posaçëm për Dialogun, Miroslav Lajcak, në një intervistë për “Sbunker”, para takimit, foli për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve në raport me përfitimet eventuale nga Plani 6-miliardësh i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Referuar masave në fuqi dhe kushtëzimeve në dialog për përfitime nga Plani i Rritjes, opinionisti Bekim Kabashi nuk pret që takimi të çojë në lëvizje thelbësore drejt zbatimit të marrëveshjes bazë dhe shtojcës.
“Edhe në të kaluar ka treguar që nuk është që bën kompromise z. Kurti, të paktën në procesin e dialogut, sa u përket ndihmave financiare nga Bashkimi Evropian. Unë pres heqje të sanksioneve, pasi që BE-ja duket se po u kalon sanksionet nga një formë në formën tjetër, po i heq sanksionet që kanë qenë për Kosovën dhe po vendos disa kushtëzime te Plani i Rritjes, dhe ne sigurisht që do të ngecim për të marrë këtë mbështetje nga BE-ja edhe për një kohë, pasi që nuk pres Kosova të bëjë hapa drejt implementimit të marrëveshjes”, tha Kabashi.
Duke përmendur mungesën e ndëshkimit të Serbisë për 24 Shtatorin dhe masat në fuqi ndaj Kosovës, profesori Dritëro Arifi vlerësoi se kushtëzimet e reja, njësoj, për të dyja palët janë komike dhe vetëm sa e ndërlikojnë procesin.
“Nuk pres asgjë nga asnjëra palë. Nga BE-ja pres një vendosmëri që të qartësojë rrugën politike të Kosovës. Ata le ta favorizojnë Serbinë, le ta bëjnë anëtare të BE-së, është punë e tyre, nuk mund të interferojmë. Por pres seriozitet, të qartësohet rruga politike e Kosovës. Nëse Kosova e zbaton marrëveshjen në formë unilaterale çka fiton? Jo vetëm disa lekë. Pra, duhet të qartësohet përfundimisht rruga politike”, tha Arifi.
Takimi Kurti-Vuçiq, më 26 Qershor, do të jetë i pari i nivelit të lartë në dialog pas sulmit terrorist paramilitar në Banjskë, dhe mund të jetë një nga, nëse jo i fundit, nën lehtësimin e Borrell.
Më 27 dhe 28 Qershor do të mbahet takimi i liderëve të shteteve anëtare të BE-së, të cilëve u takon vendimi lidhur me propozimin për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës.