Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të enjten mbrëma me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në një darkë pune pas takimeve të saj me udhëheqësit e partive politike në Prishtinë.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, agjendën e reformave evropiane si dhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Kryeministri Kurti theksoi se masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës duhet të hiqen tërësisht dhe kërkoi që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat, duke e cilësuar vendin si demokracinë më të avancuar në rajon.
Në lidhje me dialogun me Serbinë, Kurti nënvizoi nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj. Ai kërkoi që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe përsëriti kërkesën që kryeterroristi Millan Radoiçiq t’i dorëzohet drejtësisë në Kosovë, duke përmendur aktakuzën 160 faqëshe të ngritur nga Prokuroria e Republikës së Kosovës.
Kurti gjithashtu ngriti çështjen e shkeljeve sistematike të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nga shteti serb, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian për veprime konkrete në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Luginë.