​Kurti: Mungesa e sanksioneve e ka trimëruar agresivitetin e Serbisë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se mungesa e sanksioneve e ka trimëruar agresivitetin e Serbisë. Kreu qeveritar i ka kualifikuar si veprime të një shteti mafioz ndalimin e zyrtarëve policorë të Kosovës dhe qytetarëve të tjera në pikat kufitare me Serbinë. Duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, Kurti tha se shpreson se tash do të fillojë një etapë e re ku Kosova dëshmohet se është shtet demokratik, ndërsa Serbia vend autoritar dhe mafioz.

Kurti në konferencë për medie pas mbledhjes së qeverisë të enjten, tha se Serbia me ndalimet e djeshme ka shkelur të drejtat e njeriut, marrëveshjet e Brukselit dhe të Procesit të Berlinit.

“Sot arrestimet në masë që i bën Serbia të qytetarëve të vendit tonë, qofshin ata të qytetetarëve të zakonshëm që e përdorin Serbinë si vend transit për t’u kthyer në Kosovë nga vendet e Bashkimit Evropian apo për të shkuar atje, qofshin ata zyrtarë shtetëror si puna e zëvendësdrejtorit të policisë këtu nuk do të vinin në shprehje sikur Serbia të vihej nën sanksione. Mungesa e sanksioneve ndaj Serbisë e ka trimëruar atë. Unë uroj që ky trimërim i agresivitetit të Serbisë që vjen si pasojë e një nervoze të padurueshme të brendshme të saj që rezulton nga sukseset e shtetit tonë të paraqet një etapë të re, ku kuptohet se Kosova është shtet demokratik. Kosova është shtet i së drejtës, që Kosova respekton liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Ndërkaq Serbia praktikisht është shtet mafioz, ku një person publikisht lanson fushatë përndjekëse ndaj të gjithë të tjerëve…Shteti mafioz ku kryemafiozi është njeriu më publik atje duke qenë president i Republikës nuk është ndryshe”, tha Kurti.

Duke folur për dialogun me Serbinë, Kurti tha se me këto veprime po vihet në pikëpyetje Marrëveshja Bazike e Brukselit dhe aneksi i Ohrit.

“Nuk është në pyetje dialogu sa është në pikëpyetje marrëveshja bazike, e cila nuk respektohet dhe shkelet nga Beogradi zyrtar. Dialogu ka qenë i suksesshëm sepse kemi marrëveshjen bazike të 27 shkurtit të vitit të kaluar dhe aneksin e Ohrit. Ne kemi marrëveshjen, dialogu ka qenë në funksion të marrëveshjes. Problemi është se kjo marrëveshje po shkelet”, shtoi Kurti.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se dje janë ndaluar dhe maltretuar rreth 1500 qytetarë kosovarë në pikat kufitare me Serbinë.

Sipas tij, të njëjtit janë marrë në pyetje në lidhje me të kaluarën e tyre dhe lidhjet me UÇK-në.

Ai tha se nga dhjetë policë të ndaluar, nëntë prej tyre janë liruar, ndërkaq është dërguar në paraburgim në Rashkë, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç.

“Sipas informatave tona, dje së paku 1498 qytetarë janë ndaluar, maltretuar e disa edhe janë marrë në pyetje në lidhje me të kaluarën e tyre, lidhjet e tyre me UÇK-në, pjesëmarrjen e tyre personalisht në UÇK, apo të familjarëve, si dhe vendndodhjen dhe veprimtarinë e tyre gjatë kohës të vitit 98-99. Atyre iu janë marrë dokumentet personale duke i lënë ashtu pamundësinë për të lëvizur apo kthyer mbrapa. Qytetarët e Kosovës janë provokuar fizikisht dhe verbalisht nga autoritetet policore serbe. Kjo ka shkaktuar frikë tek të gjithë por veçanërisht tek fëmijët dhe të miturit që kanë qenë të bllokuar. Përveç presionit psikologjik, ata për orë të tëra kanë pas mungesë të ushqimit, ujit dhe barnave. Pjesë e këtyre arrestimeve, kanë qenë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Në mëngjesin e hershëm dje, pas kalimit kufitar në Jarinje, është ndaluar edhe zëvendësdrejtori i Policisë, Dejan Jankoviq. Sipas informatave që kam pranuar nga Policia, dhjetë pjesëtarë policorë janë ndalur, pesë prej tyre janë liruar mbrëmë, kurse, katër prej tyre sot dhe vazhdon që zëvendësdrejtori i policisë të jetë i arrestuar. Zëvendësdrejtori Jankoviq është dërguar dje në Rashkë, metodë kjo e përsëritshme ndaj pjesëtarëve të Policisë për t’i marrë në pyetje nga Agjencia e tyre për Inteligjencë. Sipas informatave të fundit ai është dërguar në paraburgim 48 orë me akuzën për prishje të rendit kushtetues”, tha ai.

I pyetur nëse do të intervenojë Policia e Kosovës në hapjen e qendrave të votimit në katër komunat veriore, Sveçla tha se do të jenë në asistim të çfarëdo vendimi të KQZ-së.

“Ne jemi në asistim të çfarëdo vendimi të KQZ-së për të organizuar mbarë, mirë dhe qetë votimin e 21 prillit. Çfarëdo kërkese e ligjshme që na vjen nga KQZ-ja, patjetër ne dhe të gjitha institucionet e Kosovës janë të gatshme për të asistuar”, deklaroi Sveçla./KP/

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA