Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se nga PDK e LDK, deri më tani, nuk kanë pranuar zyrtarisht asnjë propozim konkret karshi ofertës së tyre për t’i dhënë vendit një president konsensual e unifikues.
Ajo tutje shkruan se për shkak të peshës së situatës dhe rëndësisë së afateve, mbesin në pritje të propozimeve konkrete edhe sonte, dhe i fton dy partitë opozitare të propozojnë tre emra për president.
Postimi i saj:
Lëvizja VETËVENDOSJE! dje e bëri edhe një hap tutje për të mundësuar tejkalimin e ngërçit në zgjidhjen e presidentit, duke hequr dorë nga kjo pozitë dhe duke ftuar dy partitë më të mëdha opozitare që të vijnë me 3 propozime të kandidaturave unifikuese jashtë skenës politike, me integritet e kontribut të dëshmuar.
Përtej deklaratave në media e rrjete sociale nga PDK e LDK, deri më tani, ne nuk kemi pranuar zyrtarisht asnjë propozim konkret karshi ofertës sonë për t’i dhënë vendit një president konsensual e unifikues.
Për shkak të peshës së situatës dhe rëndësisë së afateve, ne mbesim në pritje të propozimeve konkrete edhe sonte, dhe i ftojmë edhe njëherë PDK-në e LDK-në që të kontribuojnë në tejkalimin e situatës me propozimin e 3 emrave, dhe t’i vënë në dispozicion nënshkrimet e të gjithë deputetëve të tyre dhe t’i japim fund krizës dhe t’i ofrojmë qytetarëve stabilitetin institucional që vendi e meriton.






