11.7 C
Pristina
E enjte, 25 Prill, 2024

​Kurti: Mbetet në gjykimin e kryetarëve nëse do të qëndrojnë në objektet komunale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdon të insistojë se kryetarët e komunave veriore duhet të ushtrojnë detyrat e tyre në objektet komunale, por shtoi se mbetet edhe në gjykimin e kryetarëve të zgjedhur.

Në ditën katërt të protestave në veri, Kurti, theksoi se ata që i kanë braktisur institucionet e Kosovës janë përgjegjës për situatën e krijuar në veri.

“Unë besoj se kryetarët e komunave duhet të jenë në ndërtesat dhe zyrat e kryetarëve të komunave, s’ka nevojë për paralelizma. Kemi nevojë për normalitet, demokraci për komunë në funksion të qytetarëve. Cili është kuptimi që kemi ndërtesa publike për zyrtarët e shtetit nëse ato nuk shfrytëzohen. Unë natyrisht, mund të paramendoj zvogëlimin e policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave atëherë kur do të largohen këto banda kriminale të nacionalizmit dhe shovinizmit të djathtë ekstrem të cilët e adhurojnë Millosheviqin dhe Putinin. Ata ose le të shkojnë në Serbi ose duhet t’i qojnë në burg. Mirëpo nuk ka mundësi që ne mos t’i mbrojmë asetet dhe ndërtesat e republikës nga bandat e tilla. Kur ato të largohen ose mbyllen, ne do të mund të zvogëlojmë numrin e policëve”, tha Kurti.

Ndërkaq, tha se institucionet e Kosovës kanë bërë krejt çka është e mundur për zgjidhjen e situatës në veri.

“Por sërish është kryetari ai i cili i ka marrë votat e qytetarëve dhe natyrisht që i merr vendimet për të cilët gjykojnë kryetarët. Unë jam i bindur se kemi bërë krejt çka është e mundur. Së pari, i kemi shtyrë zgjedhjet për katër muaj, së dyti i kemi mbajtur zgjedhjet dhe ato janë konsideruar legjitime dhe të drejta edhe nga faktori ndërkombëtar. Së treti, që të gjithë e kanë pranuar rezultatin e këtij procesi zgjedhor dhe së katërti ne kemi pranuar që mos të ketë kurrfarë triumfalizmi për fitoren në këto zgjedhje, madje që edhe ceremonia e betimit të bëhet në ndërtesa publike, por tash duhet të fillojë puna. Ministria e Financave i paguan njerëzit për punën që bëjnë. Struktura paralele ka Serbia, unë mendoj gjithnjë e më shumë të pafuqishme. Ne nuk mundemi të krijojmë struktura paralele jashtë objekteve zyrtare. Mos harroni kur kanë hyrë kryetarët të hënën në vendin e tyre të punës në zyra komunale ato kanë qenë të zbrazura të braktisura, përveç që kandidatët serbë braktisën procesin zgjedhor, ata i braktisën edhe ndërtesat. Ata që i kanë braktisur janë përgjegjësi për gjendjen e krijuar, jo ne që duam të punojmë dhe marrim pjesë në zgjedhje”, deklaroi Kurti.

I pyetur për raportet ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së, Kurti tha se ato janë shkëlqyeshme, mirëpo ka raste kur dallojnë në qasje, e cila sipas tij nuk është thelbësore.

“Raportet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë raporte të shkëlqyeshme bilaterale dhe kudo në arenën ndërkombëtare. Ne jemi jashtëzakonisht dhe përjetë falënderues dhe mirënjohës për mbështetjen dhe ndihmën e ShBA-së për çlirimin dhe pavarësinë, për mbrojtjen dhe sigurinë, për zhvillimin dhe demokracinë. Natyrisht se ka raste kur na dallojnë nga pak qasjet, por këto nuk janë gjëra që janë thelbësore dhe assesi vendimtare. Sot ndodhemi në një situatë të vështirë për shkak të grupeve të armatosura të cilët shtiren si protestues dhe në fakt janë banda kriminale në veriun e Kosovës, prej të cilëve duhet të çlirohemi edhe republika jonë demokratike, por edhe komuniteti serb. Për këtë, po ashtu e kemi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, theksoi ai.

Këto komente Kurti i bëri të enjten pasi u takua me nxënës nga komuna të ndryshme të Kosovës, me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Ndryshe, protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA