-2.1 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Kurti: Jemi afër themelimit të Fondit Sovran, krijon profit për shtetin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se gjatë qeverisjes dy vjeçare kanë shënuar rezultate të mira në ekonomi. Sipas tij, janë fuqizuar bordet e ndërmarrjeve publike me profesionistë të sektorit privat dhe se janë zotuar që kontratat e dëmshme, keqpërdorimi e korrupsioni të mos zënë vend në ndërmarrjet qendrore, raporton Ekonomia Online.

Në konferencën për Fondin Sovran të Kosovës, bashkëorganizim i Zyrës së Kryeministrit dhe Fondacionit “Friedrich Ebert Stiftung”, që po mbahet të dielën, ka thënë se Kosova është afër themelimit të Fondit Sovran, i cili do të krijojë profit për shtetin.

Ai ka thënë se themelimi i këtij fondi do të jetë bazë e qëndrueshme për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.

“Jemi një hap afër miratimit të projektligjit dhe me këtë kurorëzimin e idesë që ka nisur me koncept-dokumentin mbi Fondin Sovran, të udhëhequr nga Besnik Pula, vitin e kaluar. Qeveria jonë qëndron fuqishëm pas këtij vizioni, duke besuar se nisma e tillë do të rezultojë me stabilizim të ekonomisë përmes diversitetit, krijim të profiteve për shtetin përmes investimeve të mençura. Ndërmarrjet publike do të bëhen pjesë integrale e Fondit Sovran”, është shprehur ai.

Kurti më tej ka përmendur disa nga ndryshimet në ndërmarrjet publike, duke thënë se janë kthyer nga ndërmarrje me humbje në ato me profit.

“Për të rritur përqindjen e suksesit dhe për të ulur rrisqet, Qeveria përgjegjëse dubet të bëjë globalizimin e këtillë që ai të punojë për qytetarin. Këtë pikërisht e bën Fondi Sovran. Ndërmarrjet tona publike do të bëhen pjesë integrale e Fondit me qëllim të rritjes së investimeve. Gjatë qeverisjes sonë dy vjeçare kemi shënuar rezultate sinifikante në ekonomi. Kemi fuqizuar bordet e ndërmarrjeve publike me profesionistë të sektorit privat, përmes tyre jemi siguruar që kontratat e dëmshme, keqpërdorimi e korrupsioni të mos zënë vend në ndërmarrjet qendrore”, tha Kurti.

René Schlee, drejtor ekzekutiv i “Friedrich Ebert Stiftung” u shpreh se krijimi i Fondit Sovran do të jetë një hap domethënës për Kosovën. Tha se Fondi do të krijojë rrjet ekonomik të qëndrueshëm për Kosovën.

“Ne gjithmonë besojmë shumë se ky do të jetë një hap domthënës për shtetin e Kosovës dhe të krijojë një lloj rrjeti ekonomik të zhvillimit të qëndrueshëm. Besojmë se do të jetë bazë e qëndrueshme për zhvillimin e Kosovës dhe për një shoqëri të drejtë. Për këtë arsyeje jemi mbledhur dhe i kemi kushtuar vëmendje, kam kënaqësinë që themelimi i këtij fondi është bashkëpunim i frytshëm”, ka thënë Schlee.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari z. Schlee,

E nderuara znj. Pllana,

I nderuari z. Ashmore, z. Dimitriadis, znj. Debelak,

I nderuari profesor Pula,

I nderuar zv.ministër Mjeku,

E nderuara deputetja Statovci,

I nderuari zv/ambasador gjerman Conrad,

Kam kënaqësinë që të jem sot me juve në këtë Konferencë. Uroj që kjo të jetë vetëm njëra ndër të tjera që do trajtojnë këtë temë të rëndësishme. Do të doja të falënderoj z. Schlee dhe fondacionin Friedrich Ebert Stiftung për organizimin e Konferencës në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe dëshiroj mirëseardhje për të gjithë mysafirët tanë nga Britania e Madhe, Greqia e Sllovenia që sot janë me ne. Mirë se vini.

Sot do flasim për themelimin e fondit sovran. Tani kur projektligji ka kaluar konsultimet publike, jemi një hap më afër drejt miratimit të tij e, me këtë, të kurorëzimit të idesë që ka nisur me koncept dokumentin mbi Fondin Sovran të udhëhequr nga profesor Besnik Pula gjatë vitit të kaluar.

Qeveria jonë qëndron fuqishëm mbrapa këtij vizioni, duke besuar që një nismë e këtillë do rezultojë me stabilizim të ekonomisë përmes diversitetit, krijim të profitit për shtetin përmes investimeve të mençura, e me gjenerim të pasurisë për gjeneratat që vijnë. Të gjitha këto, pra me qëllim të një transformimi makroekonomik, të bazuar në kornizë politikash të investimeve të qarta, përmes dispozitave ligjore të parashikueshme.

Jetojmë në një epokë të globalizimit dhe ky nuk është procesi që duhet ndalur. Shpejtësia me të cilin inovacioni kalon kufirin përmes ndërrimit të kapitalit dhe ideve është i paprecedentë. Globalizimi i këtillë sjell me vete perspektivën e përmirësimit të jetës së qytetarëve. Mirëpo, për të rritur përqindjen e suksesit e për të ulur rrisqet, qeveritë përgjegjëse duhet ta bëjnë globalizimin të tillë që ai të punojë për qytetarët. Këtë pikërisht e bën Fondi Sovran.

Ndërmarrjet tona publike, do bëhen pjesë integrale e Fondit, në qëllim të mundësisë për rritje të investimeve të nevojshme për zhvillim ekonomik. Gjatë qeverisjes tonë dy vjeçare, kemi shënuar rezultate signifikante në ekonomi.

Kemi fuqizuar bordet e ndërmarrjeve publike me profesionistë nga sektori privat. Përmes tyre jemi siguruar që kontratat e dëmshme, keqpërdorimet e korrupsioni të mos zënë vend në ndërmarrjet qendrore. Ndërmarrjet janë ringjallur e kthyer në shërbim të qytetarëve. Këto ndërmarrje kanë siguruar profit prej 94 milionë euro gjatë këtij viti, në krahasim me 3 milionë humbje para mandatit tonë qeverisës. Telekomi ka siguruar profit e fitore në arbitrazh ndërkombëtar, duke rritur edhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët pas investimit të qeverisë në këtë ndërmarrje në vlerë prej 20 milionë euro kredi. Trepça ka rritur të hyrat nga 15 milionë në 22 milionë euro dhe për herë të parë që nga paslufta ka shënuar profit. Tani këto ndërmarrje do bëhen pjesë funksionale e Fondit.

Përkundër sfidave në realizimin e investimeve kapitale, KEK gjatë këtij viti të shkuar pra 2022 ka realizuar planin e prodhimit në masën 97.6%, duke prodhuar 5,680 GWh. Ka bërë eksportin e 581 GWh-ve në vlerë totale 117 milionë euro, ka ulur shpenzimet operative dhe ka realizuar mbi 20 milionë euro investime kapitale. Me realizimin e këtyre investimeve krijohen kushtet për realizimin e projektit të Elektrofiltrave dhe pajisjeve për uljen e emetimeve të oksideve të sulfurit dhe azotit (DeNOX) nga viti tjetër me grant të Bashkimit Evropian në vlerë prej 77 milionë euro.

Krahas fuqizimit të ndërmarrjeve publike, kemi punuar në rritjen ekonomike e cila ka një mesatare prej 7 për qind në dy vitet e fundit, më e madhja ndonjëherë që nga paslufta. Kemi rritur eksportet për 83.6 për qind e 47.6 për qind investime të huaja direkte. Trendin e këtillë vazhdojmë me 25 mijë vende të reja pune të krijuara, numër ky që po rritet çdo ditë përmes platformës së re Superpuna. Kemi rregulluar pagat në sektorin publik e kemi shënuar progres në luftën kundër korrupsionit, duke u rritur për 22 vende sipas Transparency International. Luftën kundër korrupsionit e vazhdojmë me strategjinë kundër korrupsionit që do hartohet këtë vit e me agjendë të pasur legjislative që shënon ndryshim rrënjësor në luftim të korrupsionit përmes themelimit të Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Investime të huaja direkte dhe eksporte po sjellim në Zyren e Kryeministrit përmes themelimit të agjencisë së re profesionale, me kuadro të pasura me përvojë në institucione të brendshme e ndërkombëtare, profesionistë ligjorë e të ekonomisë që do të tërheqin investime në bazë të politikave të mirëfillta zhvillimore.

Të gjitha këto nisma e komplementojnë atë të Fondit Sovran, si mjeti institucional i investimeve që do veprojë në tregje ndërkombëtare financiare, të zotëruar, menaxhuar e kontrolluar nga një qeveri e përgjegjshme e nga një sovran i përgatitur e i gatshëm për ndryshimet pozitive që na presin.

Ju falemnderit.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA