Kryeministri në detyrë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ku shpreh gatishmërinë për të arritur një marrëveshje politike për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja.
Në letrën e siguruar nga ATV, Kurti nënvizon se LDK-ja ka qenë pjesë e koalicioneve të shumta në të kaluarën dhe se mosmarrëveshjet aktuale mes VV-së dhe LDK-së nuk janë më të mëdha sesa ato që kjo parti ka tejkaluar më parë me PDK-në apo AAK-në.
“Jam i interesuar dhe i gatshëm për marrëveshje politike me LDK-në. Nuk kemi pse shkojmë sërish në zgjedhje për të rifilluar një proces që mund të bëhet tani,” thuhet në letrën e Kurtit.
Kurti e konsideron të papranueshme që Kuvendi të mbahet peng për shkak të mospajtimeve për emrin e kryetarit të Kuvendit dhe kërkon që LDK të ulet në tryezën e diskutimeve për një marrëveshje që i hap rrugë formimit të institucioneve.
Letra e Kurtit vjen në kohën kur konstituimi i Kuvendit ka dështuar për herë të 11-të me radhë, ndërsa vendi po hyn në muajin e tretë pa institucione pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. /atvlive.tv