Kurti: E domosdoshme t’i vendosen sanksione Serbisë

Përgatiti: Driton Sadiku
Dy muaj kohë, sipas kryeministri Albin Kurti janë të mjaftueshme për hetime të detajuara lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Reklamë
Përtej kësaj, shefi i Qeverisë theksoi nevojën për ndëshkim të Serbisë, siç tha, që ajo të mos përsëritet më.
“Në një situatë si ajo e Zveçanit, ato janë tri gjëra që paraqesin të njëjtën gjë, duke mbrojtur ligjin, ne mbrojmë edhe sovranitetin dhe garantojmë siguri… Për të mos ndodhur kjo është i nevojshëm edhe konkluzioni i hetimeve të BE-së, KFOR-it, EULEX-it, SHBA-së në njërën anë, por edhe sanksionet, masat ndaj Serbisë, në anën tjetër. Nuk mund ta tolerojmë, durojmë çfarëdo përsëritje që i ngjan asaj të 24 shtatorit, si sulm terrorist e kriminal, për këtë arsye duhet të veprohet sot e jo nesër. Për këtë u bëj thirrje faktorëve ndërkombëtarë ta shtrojmë çështjen, kanë kaluar 2 muaj”, tha Kurti.
Kurti përmendi edhe mosgatishmërinë e Serbisë për nënshkrim të marrëveshjeve, teksa shtoi se Serbia nuk është e interesuar për paqe.
“Pasnesër bëhen nëntë muaj prej se në Bruksel përfundimisht jemi dakorduar për marrëveshjen bazike, gjatë këtyre nëntë muajve, Serbia i ka shkelur së paku tetë nga 11 nenet e marrëveshjes bazike. Në kushtet kur kemi këso shkeljesh të marrëveshjes, konsiderojmë që aq më tepër nënshkrimi i saj është i domosdoshëm, sepse është nënshkrimi ai që anulon shkeljet dhe garanton pranim dhe zbatim të qëndrueshëm”, tha Kurti.
I pyetur për draft statutin e Asociacionit, dhe deklaratat e presidentes se ai ka dykuptimësi, Kurti shtoi se ai mund të publikohet vetëm nga emisarët, pasi ishte kërkese e tyre për mospublikim.
Kreu i ekzekutivit pati kritika për Serbinë, për të cilën tha se ka dëshmuar se Asociacionin synon ta bëjë kundër Kosovës e jo për serbët që jetojnë në vend.
Reklamë











