Kaos në një mbrëmje boksi në Stamboll, Alievi sulmohet nga disa persona pas meçit

Skena kaotike janë regjistruar në një ngjarje boksi të zhvilluar të shtunën në Stamboll të Turqisë, ku një përballje për titullin “WBC Silver” në kategorinë e rëndë përfundoi me përleshje masive.
Boksieri turk Umut Çamkiran u përball me Mourad Alievin, por në fund triumfoi ky i fundit.
Reklamë
Megjithatë, situata doli jashtë kontrollit menjëherë pas përfundimit të meçit.Alievi provokoi tifozët e pranishëm në palestër, ndërsa kur iu afrua Çamkiranit për ta përqafuar, mori një goditje nga boksieri turk.
Më pas, edhe Alievi reagoi duke e goditur kundërshtarin e tij, çka shkaktoi revoltimin e të pranishmëve.
Në ring u futën persona të shumtë, ndërsa përleshja u përhap në disa pjesë të tij. Alievi u bë cak i sulmeve nga persona të ndryshëm dhe u godit edhe gjatë largimit nga ringu.
Në kaos u përfshinë pjesëtarë të të dy kampeve, por edhe persona të tjerë të pranishëm në palestër.
Mourad Alievi, i cili ka prejardhje nga Azerbajxhani dhe ka lindur në Moskë, ndërsa në boksin amator ka përfaqësuar Francën, tani ka bilanc prej 16 fitoresh dhe një humbjeje.Interesant është fakti se humbjen e vetme në karrierën e tij profesioniste ia ka shkaktuar boksieri kosovar Labinot Xhoxhaj vitin e kaluar, në një përballje për titullin e Evropës.
Në anën tjetër, për Umut Çamkiran kjo ishte humbja e parë në karrierën profesioniste, pas 25 fitoreve radhazi.
Pas incidentit, Alievi ka dhënë një intervistë, ku është munduar të sqarojë veprimin e tij provokues, duke mohuar se kishte qëllim të ofendonte popullin turk.“Ne jemi vëllezër dhe shokë me popullin turk. Unë nuk jam armik, jam azerbajxhanas. Le të vijë Umut dhe të flasim”, ka deklaruar Alievi
.Ndërkohë, nga kampi i Çamkiranit janë shprehur të pakënaqur me vendimin e gjyqtarëve, por edhe me sjelljen provokuese të boksierit kundërshtar pas përfundimit të meçit.
Reklamë







