​Kurti: Drafti për reformë zgjedhore shqyrtohet së shpejti në ekzekutiv

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se drafti për reformën zgjedhore së shpejti do të trajtohet në ekzekutiv. Sipas tij, ai i jep fund një padrejtësie të gjatë ndaj mërgatës.

Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri ka thënë se dokumenti parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shprehjes së vullnetit politik derisa ambasadat dhe konsullatat e Kosovës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra të votimit.

“Javën e kaluar Komisioni ad hoc për reformë zgjedhore, i themeluar nga Kuvendi i Republikës përmbylli punën e tij duke hartuar draftin e ri të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këtë draft së shpejti do ta kemi për trajtim edhe në Qeveri, për të dhënë opinionin dhe komentet tona. Megjithatë, sot para jush dua ta shpalos një dimension të veçantë të tij, e që ka të bëjë me votimin e mërgatës në zgjedhjet në Kosovë. Në esencë, ky draft ligj i jep fund një padrejtësie të gjatë ndaj mërgatës, kur vjen puna te votimi dhe përmbush përfundimisht edhe një zotim tonin ndaj mërgatës. Ai parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shprehjes së vullnetit të tyre politik, teksa ambasadat dhe konsullatat e Republikës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra të votimit”, ka thënë Kurti, transmeton KP.

Kurti ka thënë se sipas draft-ligjit, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, mërgata do të evidentohen si votues në mënyrë elektronike.

Ai ka thënë se regjistrimi i tyre do të jetë shumë më i lehtë dhe do të bëhet online ndërsa ka bërë të ditur se për hedhjen e fletëvotimeve, ata do të kenë tri opsione.

“I pari, do të jetë votimi fizikisht një ditë para ditës së zgjedhjeve në njërën nga ambasadat apo konsullatat e Republikës së Kosovës. Opsioni i dytë do të jetë dërgimi i fletëvotimeve me postë brenda vendit ku jetojnë, në adresën që e cakton Ambasada e Republikës së Kosovës. Me këtë, ambasadat do të shndërrohen në qendra të grumbullimit të fletëvotimeve. Kjo do t’i kursejë bashkatdhetarëve tanë buxhet dhe kohë dhe do të mundësojë që fletëvotimet të arrijnë shpejt e sigurt, si dhe opsioni i tretë mbetet mënyra e vjetër e votimit, duke i dërguar fletëvotimet me postë në adresë të Komisionit Qendror Zgjedhor për vendet ku Kosova nuk ka ambasadë apo konsullatë ende”, ka shtuar Kurti.

Gjatë adresimit të tij, Kurti ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Valon Syla dhe ka kërkuar që autorët të vihen sa më parë para drejtësisë.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA