Presidentja Vjosa Osmani e ka filluar takimin me kryetarët e partive politikë të Kosovës.
Ajo në hyrjen të takimit ka bërë të ditur se arsye për këtë tubim të liderëve të partive vendore është caktimi i një date për zgjedhjet e ardhshme nacionale.
Në këtë takim të pranishëm nuk ishin asnjë përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, përmes një përgjigje me shkrim për ATV-në, tha se arsyeja e mospjesëmarrjes së Kurtit në këtë takim, është se kryeministri po merr pjesë në një drekë me 21 ambasadorë të akredituar në Kosovë, ku është i ftuar si mysafir nderi.
“Dreka është caktuar me 10 korrik. Konfirmimi nga ana e kryeministrit për këtë drekë është bërë para tre jave. Në pamundësi për të marrë pjesë në orarin e propozuar, kryeministri Kurti ka sugjeruar që LV të përfaqësohet nga nënkryetari i parë i saj, Glauk Konjufca. Gjë që konsiderojmë që do të duhej të ishte e pranueshme. Kryeministri Kurti është i gatshëm të marrë pjesë në çdo takim të ardhshëm në një ditë dhe orë të përshtatshme”, tha Kryeziu në përgjigjen e tij për ATV-në. /atvlive.tv





