PËRGATITI: ARTON HAMITI
Tri ditë pasi ATV-ja raportoi ekskluzivisht se Qeveria së shpejti do të kryejë disa testime në urën kryesore mbi lumin Ibër, që lidh jugun dhe veriun e Mitrovicës, kryeministri Albin Kurti planin për hapjen e saj ua paraqiti ambasadorëve të QUINT-it.
Pikërisht plani që kryeministri shpalosi të premten, parasheh testimet për stabilitetin e strukturës së urës.
“Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit, si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”, u tha nga Qeveria.
Por, Qeveria e Kosovës nuk do ta ketë përkrahjen e ndërkombëtarëve. Pas takimit që u zhvillua saktë 8 vjet pas diskutimeve që ishin mbajtur në Bruksel në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Urën e Mitrovicës, Ambasadori, Jeffrey Hovenier, tha se QUINT-i dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në këtë kohë.
“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e BE-së në Kosovë, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona, në konsultim me NATO-n, nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin e tanishëm të urës së Mitrovicës në këtë kohë.”, deklaroi Hovenier.
Me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe NATO-s, kryeministri Kurti insiston se ura duhet të hapet.
“Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se “rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim”. Andaj ura duhet të hapet.”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Kryeministrisë.
Për hapjen e urës ekzistojnë dy marrëveshje të arritura në dialogun e Brukselit, ajo më 2015 dhe ajo më 2016, teksa Bashkimi Evropian të enjten për ATV-në përsëriti se çdo vendim për hapjen duhet të merret në dialogun Kosovë – Serbi.
Ndaj kësaj deklarate reagoi presidentja Vjosa Osmani duke theksuar se për hapjen e urës mbi lumin Ibër nuk do të pyetet presidenti serb, Aleksandër Vucic./atvlive.tv/
Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:





