Përgatiti: Haris Ademi
Qytetarë hyjnë e dalin në objektin komunal të Leposaviqit, për të marrë shërbime.
Por njëri e alarmoi udhëheqësinë e komunës më veriore të Kosovës, javën që shkoi.
Dikush arriti të hyjë në njërën nga zyrat dhe dyshohet se krijoi dëm në sistemin kompjuterik. Për këtë, kryetari Lulzim Hetemi e njoftoi menjëherë policinë.
Zyrtarë nga Komuna nuk pranuan të prononcohen për këtë situatë, duke thënë se ka qenë vetëm dyshim dhe se tanimë sistemi është në rregull. Mirëpo, ata nuk u përgjigjën se si një person civil u la të ketë qasje në kompjuterin e komunës.
Me këtë rast u mor departamenti i krimeve kibernetike në Polici. Por as ky departament nuk ktheu përgjigje të martën për ATV-në, se çfarë ka qenë rezultati i hetimit.
Kompjuteri në të cilin punoi ai, ishte i një zyrtareje të etnisë serbe, e angazhuar me kontratë mbi vepër.






