Shkrimtari Ismail Kadare ka bërë më shumë se të gjithë institucionet së bashku të shtetit shqiptar, deklaroi kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja. Në mbledhjen komemorative për Ismail Kadarenë, ai tha se zëri i tij në mbështetje të Kosovës ka krijuar kontekst politik ndërkombëtar. Akademikë të Kosovës kanë lartësuar veprimtarinë e tij, ku u theksua se vepra e Kadaresë ndikoi në emancipimin e shprehjes letrare shqipe.
Në mbledhjen komemorative për shkrimtarin Ismail Kadare, kryetari i AShAK-ut, Mehmet Kraja tha se Ismail Kadare ka qenë mbështetje këmbëngulëse dhe e pa rezervë për Kosovën.
“Zëri i Kadaresë në mbështetje të Kosovës ka krijuar kontekst politik ndërkombëtar, ka arritur të depërtojë nëpër kancelari të ftohta diplomatike dhe që është po aq me rëndësi ka qenë frymëzim për shumë gjenerata intelektualësh, mësuesish, studentësh, nxënësish dhe për një masë të gjerë njerëzish në Kosovë, përfshirë edhe ata që në aktin final të kësaj historie u vënë në radhë të para të luftës për çlirimin e Kosovës. Në këtë pikë, Kadare ka bërë më shumë se të gjithë institucionet së bashku të shtetit shqiptar. Në një kohë të ndjeshme të strukturimit të vetëdijes së kosovarëve, ai u hapi rrugë lidhjeve të këtyre mbi ideologjike dhe tej ideologjike në shtetin amë, duke anashkaluar dhe minimizuar rolin e kufizimeve dhe ndasive botëkuptimore, madje edhe rajonale e krahinore për krijimin e një tërësie kompakte nacionale. Zëri i tij pavarësisht nëse vinte nga botacioni letrar ose nga diskursi politik, për kosovarët ka qenë zë integrues”, deklaroi ai.
Më tej, Kraja shtoi se Kadare ka qenë pjesë e identitetit kosovar dhe se vlerat e veprave të tij qëndrojnë në themelet e Kosovës.
“Bashkësisë ndërkombëtare dhe opinionit botëror i ka folur me një gjuhë të qartë politike dhe kulturore, ndërkohë që me kosovarët herë pas herë ka ditur të jetë kritik madje i ashpër duke kërkuar prej tyre që të përballen me sfidat dhe të jenë në nivel të çastit historik të Kosovës. Shqetësimet e Kadaresë për modelet e shoqërisë shqiptare, përkundër faktit se mund të mos lidhen drejtpërdrejt me Kosovën, kanë pasur jehonë të madhe me opinionin kosovar dhe janë kontribut i vyer për profilizimin botëkuptimor të shoqërisë kosovare si shoqëri me vlera perëndimore. Vepra letrare e Kadaresë, shkrimet dhe analizat publicistike, intervistat dhe deklaratat pse jo edhe mesazhet gojore kanë luajtur rol emancipues për Kosovën dhe kosovarët”, shtoi Kraja.
Në akademinë përkujtimore të organizuar nga AShAK, akademik Sabri Hamiti tha se me përkthimin e veprave të Ismail Kadaresë, ai ka fituar statusin e shkrimtarit të madh.
“Frymëzimet dhe ëndërrimet më vonë përplotësohen me motive dhe me shtresime të kohës. Vepra e tij poetike shquhet për figuracion origjinal dhe ka pasur një rol emancipues në poezinë shqipe të Shqipërisë. Veprat letrare më të rëndësishme të Ismail Kadaresë janë të shkruara në trajtë të prozës së shkurtër, të tregimit, të novelës dhe të romanit. Ai sidomos u dallua në formën e romanit për tu bërë romancieri më i njohur dhe më i rëndësishëm i letërsisë shqipe të kohës. Romani i tij i parë ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur 1963’ është vepra që ia siguroi famën letrare më parë në Shqipëri e më pastaj edhe në gjuhë të tjera e përkthyer. Romanet e tjera të dalluara janë ‘Kështjella 1970’, ‘Kronikë në gur 1971’, pastaj ‘Muzgu i perëndive të stepës 1978’, ‘Kush e solli Doruntinën 1979’, ‘Prilli i thyer 1980’ dhe ‘Pallati i ëndrrave 1980”, u shpreh ai.
Edhe akademik Rexhep Ismajli theksoi se shkrimtari Ismail Kadare me veprat e tij ndikoi në emancipimin dhe urbanizimin e shprehjes letrare shqipe.
“Lëvizjet në vende, rrëfime e referenca të ndryshme e bëjnë atë mjeshtër të madh të letërsisë. Duke lëvizur në koordinatat më klasike nga Askili te Dante e Shekspiri, disa shohin aty edhe përvoja moderne deri tek Kafka e Rovelli, ai u bë vet shpesh reper orientues për identifikim përtej botës shqiptare. U identifikua si shkrimtar i shquar evropian. Me shkrimin e tij ndikoi ndjeshëm në emancipimin dhe urbanizimin e shprehjes letrare shqipe. Në mënyrë të veçantë në begatimin e shprehjes shqip, nga burimet e saj nga të gjitha anëve si pak kush më parë”, përfundoi Ismajli.
Shkrimtari Ismail Kadare ka vdekur më 1 korrik dhe sot në Shqipëri po organizohet ceremonia shtetërore e lamtumirës./kp





