Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka certifikuar koalicionin AAK – Nisma Socialdemokrate – Konservatorët – E30 dhe Ideal, por jo edhe Listën serbe, raporton Ekonomia Online.
Shkak për këtë kundërshtim, ishin thirrjet nacionaliste të kryetarit të Listës serbe në Kosovë, Zllatan Ellek, të bëra gjatë prezantimit të listës zgjedhore.
Anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, përmendi thirrjet që kryetari i Listës Serbe në Kosovë, Zllatan Ellek, ka bërë gjatë prezantimit të listës zgjedhore.
“Kam rezervat e mia dhe më duhet me i shpreh dhe janë shumë elemente, pra prezantimi i kandidatëve të Listës serbe. Pra asnjëherë nuk përmend Republika e Kosovës por thotë ‘Kosovo i Metohija’. Nuk thotë ‘rrnoftë Kosova por rrnoftë Serbia’. Përfaqësuesit e kësaj liste mbajnë kontakte me pushtetin e Vuçiqit ku shihet edhe Radojiçiqi, ku kanë lidhje me sulmin terrorist në Banjskë dhe së fundmi edhe në Ibër Lepenc”, u shpreh ai, teksa lëshoi një audio-incizim ku dëgjohet Allek me thirrje kundër Republikës së Kosovës.
Kundër certifikimit të Listës serbe doli edhe anëtari tjetër i VV-së, Alban Krasniqi, i cili kërkoi veprime nga Prokuroria e Shtetit.
Ndonëse, tha se pajtohet me deklarimet e Kurteshit, Arianit Elshani nga PDK-ja përmendi rekomandimin e Zyrës për Regjistrim të Partive, që sipas kësaj të fundit kjo parti i plotëson të gjitha kriteret që të jetë në garë për zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Ndaj të njëjtat shqetësime me anëtarin e VV-së, mirëpo kam një shqetësim tjetër për shkak se rekomandimi i Zyrës për Regjistrim të Partive ka thënë se ky subjekt plotëson të gjitha kriteret që të jetë në garë për zgjedhjet e 9 shkurtit. Është bazuar edhe në deklarimet e MPB dhe MPJ dhe të gjithë kanë thënë se subjekti në fjalë i plotëson kriteret. Unë me këtë rast abstenoj deri në definimin e saktë sepse certifikimi i subjekteve duhet ta ketë një konsensus të përbashkët”, u shpreh Elshani.
“Ne të gjithë e dimë se kush është Lista serbe, mirëpo është mirë me na tregu Ministria e Punëve të Brendshme. Është mirë ata me ma tregu se kush janë pjesëtarë të këtij subjekti politik. Unë propozoj që të diskutoni me MPB-në dhe të vini me një rekomandim, qoftë pro apo kundër certifikimit”, u shpreh tutje Elshani.