Përgatiti: Krenare Mulliqi
5 muaj pasi u publikuan të dhënat preliminare për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat përfundimtare për këtë proces.
Numri i përgjithshëm i banorëve rezidentë në Kosovë është 1 milion e 602 mijë e 515 banorë, përfshirë numrin e banorëve në komunat më shumicë serbe të cilët e bojkotuan procesin.
Publikimin e të dhënave e ka përshëndetur edhe kryeministri, Albin Kurti.
Sipas tij të dhënat janë tregues se si dhe ku duhet të punohet e të investohet.
Në këto të dhënat nuk është përfshirë numri i banorëve në diasporë meqë ky proces i regjistrimit do të vazhdojë deri më 31 dhjetor. Por është njoftuar se deri më tani janë regjistruar rreth 550 mijë persona.
Tutje sipas të dhënave të ASK-së nga dëmet e luftës janë prekur 154 mijë e 272 ekonomi familjare, me mbi 5 miliardë euro dëme.
Projekti i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave u realizua nga 5 prilli deri më 24 maj. Procesi ishte paraparë të përfundohej për 4 javë por u shty për 1 javë me kërkesë të disa komunave.





