Përgatiti: Nora Luta
Nga sot, Kryesimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, për gjashtë muajt e ardhshëm e mori Lituania.
Në deklaratën e miratuar nga ky Komitet, me rastin e 75-vjetorit të themelimit të kësaj organizate, Kosova nuk përmendet asnjëherë.
Lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë, u deklarua Kryesuesja e deritanishme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, Ministre e Jashtme e Lihtenshtajnit.
“Pranimi i Kosovës u përmend disa herë sot në kuadër të deklaratave kombëtare të ministrave. Ne kemi pranuar letër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me rekomandimin për pranimin e Kosovës dhe ne bëmë gjithçka brenda Presidencës sonë për të avancuar procesin, së bashku me shtetet anëtare. Ndaj Komiteti i Ministrave tashmë ka nisur diskutimet për çështjen dhe aktualisht po shqyrton se si të procedojë”, ka thënë Hasler.
Aplikimi i Kosovës kishte kaluar në Asamble Parlamentare dhe duhej vetëm edhe votimi në Komitet të Ministrave për pranim në Këshill të Evropës.
Shtetet që përkrahën Kosovën në këtë proces kishin një kërkesë të qartë – dërgimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Në një përpjekje të minutave të fundit, Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla dje nënshkroi një letër, ku u zotua se Kosova do të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese një projekt-statut të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, deri në fund të majit.
Ky hap edhe hapat e tjerë, siç ishte takimi i Kryeministrit Kurti me nënkryetarët e komunave të veriut, u cilësuan të pamjaftueshëm për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës nga Presidenti i Francës, Kancelari i Gjermanisë dhe Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Italisë.
Kështu, vetëm një ditë më vonë, Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministrja Gërvalla u tërhoq nga zotimi që vetë e pranoi dhe nënshkroi.
Ajo pohoi se zotimi që e bëri dje ka humbur tashmë relevancë dhe se disa vende anëtare të Këshillit të Evropës e mbështetën fushatën e Serbisë dhe u vunë në anën e padrejtësive.
“Megjithatë, në vend të Opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe një propozimi të arsyeshëm e serioz nga Qeveria e Kosovës, disa vende anëtare zgjodhën t’i dalin në krah padrejtësive dhe t’i japin mbështetje fushatës lobuese të Serbisë, kundër anëtarësimit të Kosovës, duke privuar kështu qytetarët e Republikës së Kosovës nga të drejtat dhe mundësitë që ofrojnë mekanizmat e kësaj organizate, veçanërisht për komunitetet e pakicës etnike dhe komunitetet e tjera të margjinalizuara”, tha Gërvalla.
Presidentja Vjosa Osmani, e cila nuk ka qenë e konsultuar për zotimin që Qeveria e dhe dje dhe e tërhoqi sot, përdori gjuhë më diplomatike dhe shprehu bindjen se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është vetëm çështje kohe.
“Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë. Pasi të arrijmë aty, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcakton Këshilli i Evropës: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike”, ka thënë Osmani.
Këshilli i Evropës është organizata më serioze ndërkombëtare ku Kosova ka pasur gjasa të pranohet viteve të fundit. Që nga viti 2021, Kosova nuk ka asnjë njohje të re dhe as anëtarësim në organizata financiare ose politike ndërkombëtare.