Kosova triumfoi 2-1 ndaj Islandës në ndeshjen e parë të play-off-it për Ligën B të Ligës së Kombeve, duke bërë hapin e parë drejt promovimit, raporton ATV.
Dardanët nisën fuqishëm, duke gjetur golin e epërsisë në minutën e 19-të me një finalizim të bukur të Lumbardh Dellovës. Megjithatë, vetëm tre minuta më vonë, kapiteni islandez Orri Oskarsson barazoi rezultatin.
Në pjesën e dytë, Kosova tregoi dëshirën për fitore dhe riktheu epërsinë me një gol të mrekullueshëm nga Elvis Rexhbecaj në minutën e 58-të. Dardanët patën mundësi të siguronin fitoren me një diferencë më të madhe, por nuk arritën të shënonin golin e tretë.
Portieri Aro Muric ishte vendimtar me pritjet e tij, duke mbajtur avantazhin e Kosovës. Ndërkohë, Valon Berisha do të mungojë në ndeshjen kthyese më 23 mars, pasi mori kartonin e verdhë që e skualifikon nga përballja në Islandë.
Me këtë fitore, Kosova ka një mundësi të artë për të vulosur suksesin në ndeshjen e kthimit dhe të sigurojë kalimin në Ligën B. /atvlive.tv