“Kosova A”, u konfirmua si pjesë e “Planit A”, për furnizim me energji elektrike edhe për një vit

Përgatiti: Fatlum Jashari

Në mungesë të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, Termocentrali Kosova A, i vënë në funksion para më se gjysmë shekulli dhe i paraparë të mbyllej më 2017, u konfirmua si pjesë e “Planit A” të furnizimit edhe këtë dimër.

Zyra e Rregullatorit për Energji ia vazhdoi licencën për prodhimin e energjisë edhe për një vit këtij termocentrali, i cili me tri njësi prodhuese arrin kapacitetin rreth 390 megavatë/orë, apo rreth 40% të totalit të kapaciteteve nga thëngjilli.

Pasi tha se Kosova ka humbur mundësinë të ketë kapacitete të reja prodhuese me thëngjill, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, listoi disa probleme lidhur me mungesën e investimeve në këtë sektor.

“Në anën tjetër, Kosova e ka humbur betejën përballë mafies energjetike dhe, si duket, lobimi i tyre ka qenë aq i fuqishëm sa që e ka pezulluar ose parandaluar fillimin e ndërtimit të kapaciteteve të reja. Dhe, kur krejt kësaj i shtohet burokracia sa i përket energjisë alternative, qoftë me erë – qoftë me panele solare, vërtet duket se Kosova është shtet i gjykuar që të jetë i varur nga importi i energjisë”, tha Gërxhaliu.

Duke kritikuar politikat vendimmarrëse, ai theksoi se në vend të investimeve në kapacitete të reja, Kosova gjendet në një situatë sanuese.

“Nëse bëhet një kalkulim i thuktë i investimeve në mirëmbajtjen e kapaciteteve aktuale energjetike, qoftë në Kosovën A apo B, që nga viti ‘99 e deri sot, e them me përgjegjësi morale dhe profesionale se Kosova ka shpenzuar më shumë sesa të ndërtojë dy apo tri termo-elektrana të reja, që do ta faktorizonin Kosovën në aspektin strategjik, sa i përket energjisë elektrike”, tha Gërxhaliu.

Duke e vlerësuar të realizueshëm objektivin strategjik për kapacitete prej 1200 mw/h nga burimet e ripërtërishme deri më 2031, eksperti i energjisë, Naim Bujupi, theksoi se ndërtimi i tyre të lejonte mbylljen e Kosovës A.

“Ideja është që termocentrali Kosova A të mbyllet. Në strategji është vendosur që të përdoret si kapacitet rezervë, që d.m.th. të përdoret vetëm gjatë dimrit kur kemi mungesë të energjisë. Ndërsa, në strategji është vendosur që në vitin 2024 të rivitalizohet një njësi e Kosovës A dhe po të njëjtin vit të vendoset kur mbyllen dy të tjerat”, tha Bujupi.

Investimet për rivitalizim në vend se për kapacitete të reja, ai i arsyeton me periudhën kalimtare drejt energjisë së gjelbër dhe koston e përgjithshme.

“Në fazën tranzitore, këto investime janë vetëm për të siguruar furnizimin me energji për një periudhë derisa të ndërtohen kapacitetet e reja të burimeve të ripërtërishme. Pra çështja është se gjithmonë te një projekt në sektorin e energjisë shikohet kost-efektiviteti i projektit. Pra, sigurisht rivitalizimi i njërës njësi na garanton energji me çmime më të ulëta”, tha Bujupi.

Në strategjinë e energjisë është paraparë që për rivitalizimin e një njësie të termocentralit Kosova A, këtë vit dhe tjetrin, të investohen 120 milionë euro.
Ndërsa, në total, nga ky vit deri më 2025, parashihen më shumë se 415 milionë euro për investimeve kapitale, në dy termocentralet ekzistuese me thëngjill.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA