Kontrata KEDS – “Elektrosever” mirëpritet, por nuk bëhet publike

Përgatiti: Fatlum Jashari

Tri ditë nga nënshkrimi, Zyra e Rregullatorit për Energji ende nuk e ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen komerciale ndërmjet KEDS-it dhe “Elektroseverit”.

Ajo vazhdon të mbahet e pa-publikuar dhe, zyrtarisht, nuk dihet përmbajtja e saj.

Nëse marrëveshja nuk parasheh afate të reja specifike, Elektrosever do të duhej të niste kontraktimin e energjisë në Janar, rrjedhimisht edhe faturimin.

Por, kësaj duhet t’i paraprijë rregullimi i çështjes së njehsorëve dhe regjistrit të konsumatorëve.

Në një përgjigje për ATV-në, ZRRE-ja shpjegoi se çfarë në parim rregullon dokumenti i nënshkruar.

“Me datë 09.12.2023, është nënshkruar Marrëveshja Komerciale mes Elektrosever dhe KEDS-it për ofrimin e shërbimeve të distribuimit (faturim, mirëmbajtje dhe lidhje fizike të konsumatorëve), në katër komunat veriore me shumicë serbe, ashtu siç ishte përcaktuar me Nenin 5 të “Marrëveshjes për Energjinë” të vitit 2013. Kjo marrëveshje komerciale për kryerjen e këtyre shërbimeve nga Elektrosever mbart më vete kostot e shërbimit që duhet të jenë pjesë e marrëveshjes”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së për ATV-në.

Kompania bijë e ndërmarrjes publike energjetike të Serbisë, e regjistruar dhe licencuar në Kosovë, do të ketë lirinë e plotë të përcaktimit të tarifave të energjisë elektrike në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

“Për sa i përket tarifave për Elektrosever, Korniza ligjore që rregullon sektorin e energjisë në Kosovë, promovon një treg të liberalizuar të energjisë elektrike. Prandaj, siç është e përcaktuar në kushtet e licencës, ky aktivitet i furnizimit nuk i nënshtrohet rregullimit apo miratimit të tarifave nga ZRRE-ja, si rrjedhojë, Elektrosever nuk ka ndonjë obligim për përgatitje të propozimit për tarifa për konsumatorët të cilët i shërben”, thuhet më tej në përgjigjen e ZRRE-së.

Pa folur për përmbajtjen, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nënshkrimin e marrëveshjes e vlerësoi hap tutje drejt normalizimit.

“Operimi edhe në veri, do të ndodhë brenda kornizës ligjore e rregullative të Republikës së Kosovës, ashtu siç në të gjithë territorin e vendit tonë. Tash duhet të ecet tutje edhe me hapat e tjerë të nevojshëm për t’i dhënë fund pas më shumë se 20 vitesh, ilegalitetit në mospagesë të rrymës”, tha Bislimi.

Më 24 Qershor të vitit të kaluar, bazuar në Udhërrëfyesin e dakorduar në Bruksel, ZRRE-ja licencoi Elektroseverin.

Sipas afateve në licencë, marrëveshja komerciale do të duhej të nënshkruhej më së largu 10 ditë pas licencimit, ndërsa ofrimi i qasjes në nënstacionin në Vallaq, gjë që nuk ka ndodhur ende, brenda 30 ditësh.

Që nga Korriku 2022, dëmi buxhetor si pasojë e mosfaturimit të energjisë në katër komunat në veri, llogaritet të jetë rreth 60 milionë euro. Ndërkaq, nga paslufta, përfshirë këtë vit, rreth 350 milionë euro.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA