Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York, Blerim Reka ka organizuar një pritje festive me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Në një postim në Facebook, Reka njoftoi se në këtë ngjarje morën pjesë rreth 200 mysafirë, përfshirë 50 ambasadorë dhe diplomatë të shteteve anëtare të OKB-së, si dhe përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
Gjithashtu, ishin të pranishëm edhe zyrtarë të lartë amerikanë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare. Në këtë ngjarje, fjalën e mori edhe John Kelly, nga Misioni i Përhershëm i SHBA-ve në OKB, i cili theksoi rëndësinë e ditës së Pavarësisë së Kosovës dhe e cilësoi si një moment për të nderuar arritjet e kaluar dhe për të shikuar drejt një të ardhmeje të ndritur për dy shtetet.
Ai uroi Kosovës për këtë përvjetor dhe theksoi lidhjet e forta mes popujve të dy vendeve. Në postimin e tij, Reka gjithashtu theksoi arritjet e Kosovës në ndërtimin e shtetit pas luftës çlirimtare dhe vlerësoi ndihmën e paçmuar të SHBA-ve dhe NATO-s për çlirimin e Kosovës.