PËRGATITI: ARTON HAMITI
Ministria e Financave i ka dhënë sqarimet e saj, në lidhje me pretendimet se konkursi për drejtor të Agjencisë Qendrore të Prokurimit, është përcjellë me shkelje ligjore.
Ditë më parë ATV-ja raportoi se kjo ministri i ka tejkaluar dispozitat ligjore për kriteret kualifikuese, duke lënë anash kriterin e përvojës së punës në fushën e prokurimit, dhe duke ndryshuar edhe kohëzgjatjen e mandatit të drejtorit.
Megjithatë, as në përgjigjet dërguar redaksisë, çështje e përvojës nuk u përmend.
Ministria tha se për këtë konkurs, ka ndjekur dispozitat ligjore që i parasheh Ligji për Zyrtarët Publik dhe Rregullorja e fillimvitit, për klasifikimin e vendeve të punës në shërbimin civil.
“Para shpalljes së cilës do pozitë së pari rishikohet baza ligjore dhe të gjitha kërkesat e përgjithshme specifike dhe ato formale për pozitën, andaj ju informojmë se shpallja e konkursit për Drejtor të Autoritetit Qendror të Prokurimit është bërë në pajtim me të gjitha dispozitat e aplikueshme ligjore.Disa prej dispozitave të aplikueshme ligjore janë: Ligji Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publik, Neni 49 – Emërimi dhe mandati në pozitën e nivelit të lartë drejtues dhe Rregullorja (QRK) Nr. 06/2024, pika IV që parasheh edhe kërkesat e përgjithshme formale për pozitën Drejtues i Lartë.”
Por, sipas shoqërisë civile, AQP-ja është themeluar me Ligjin për Prokurimin Publik dhe dispozitat e përmendura nga ministria nuk vlejnë. Pra pozita dhe mandati i drejtorit ekzekutiv duhet të jetë në përputhje me Ligjin për Prokurimin.
Konkursi për drejtor ekzekutiv të Agjencisë Qendrore të Prokurimit qëndroje hapur deri me 22 gusht, teksa u hapë pas 3 vjetësh funksionimi me ushtrues detyre./atvlive.tv
Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:





