Konjufca: Kosova nuk mund të kushtëzohet nga Serbia për zgjedhjet ne veri

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka theksuar se Kosova nuk mund të kushtëzohet nga Serbia për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës më 23 prill.

Kryeparlamentari Konjufca theksoi se për këtë çështje ka pasur një kompromis dhe se zgjedhjet një herë janë shtyrë me rekomandim të bashkësisë ndërkombëtare.

Ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se kanë marrë garanci nga ndërkombëtarët se zgjedhjet nuk do të shtyhen më shumë se njëherë dhe se kjo çështje sipas tij ka përfunduar.

“Ka qenë pozitiv qëndrimi i QUINT-it dhe i bashkësisë ndërkombëtare që pa pjesëmarrjen e partive politike serbe në zgjedhjet të cilat janë paralajmëruar më 23 prill nuk ka formim të Asociacionit. Pra, qëndrimi ka qenë që nuk ka Asociacion pa pjesëmarrje e tyre në zgjedhje dhe mendoj se Kosova nuk ka nevojë fare të lëvizë para se të ketë zhvillime në këtë drejtim. Kështu që ne nuk mund të kushtëzohemi prej Vuçiqit, Beogradit dhe Serbisë që ata të vendosin se kur të ketë zgjedhje ose jo në Kosovë. Zgjedhjet janë caktuar dhe një kompromis i më hershëm ka ndodhur, zgjedhjet janë shtyrë një herë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare dhe ne kemi marrë garancinë prej tyre që nuk do të shtyhen më shumë se një herë. Kjo ka përfunduar dhe tash duhet të presim lëvizjen nga ana e partive politike serbe që të regjistrohen. Ata që kanë pasur ndërmend me u regjistruar, janë regjistruar, ka mbetur vetëm Lista serbe e cila nuk i ka paraqitë listat e veta me kandidatë me garauar për këto zgjedhje”, theksoi Konjufca.

Sa i përket sigurisë dhe kërcënimeve të Serbisë, Konjufca theksoi se në veri të vendit Policia e Kosovës duhet me vepruar konform ligjeve në fuqi. Ai tha se ata që paralajmërojnë dhunë duhet të mbajnë përgjegjësi.

Ai shtoi se Kosova do të refuzojë çfarë do tendence të Serbisë.

“Kosova është e përcaktuar që krejt ato që ne i kemi si obligime Kushtetuese institucionale, duhet me i zbatuar në mënyrë paqësore, në mënyrë që KQZ-ja me mundur me pasur veprimin e lirë edhe të sigurt në atë pjesë të territorit. Dhe mendoj se gjithë kush, i cili hapur deklarohet edhe organizohet për me I cenuar këto zgjedhje, edhe me metoda të tjera jo demokratike, të dhunshme apo me ndonjë sulm i cili paralajmërohet dhe organizohet, mendoj se duhet ta mbajnë përgjegjësinë ata që janë organizator, edhe veprojnë. Organet e rendit të shtetit tonë, policia që është atje, duhet me vepruar konform ligjit. AKI-ja natyrisht se i ka informatat e veta, është institucioni shtetëror që na informon për gjithçka, prej të cilës mund të rrezikohet siguria e Kosovës, është e jona pastaj se si i marrim ato informata dhe si veprojmë pastaj me qëllim që mos të zmbrapsemi prej obligimeve Kushtetuese që i kemi dhe në anën tjetër që mos t’i shërbejmë kurrë farë provokimi të situatës në të cilën është e interesuar Beogradi. Ne do të refuzojmë çfarë do tendence për me na futur në kurth të tillë”, theksoi ai.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA