PËRGATITI: DONISA FAZLIU
Komuna e Vushtrrisë e ka vazhduar traditën duke ofruar shërbime administrative për mërgimtarët edhe të shtunave. Sipas kryetarit të kësaj komune, përveç shërbimeve administrative, komuna ka siguruar edhe vendparkingje për veturat e tyre.
Edhe të shtunën, qytetarët e Vushtrrisë që jetojnë ne diasporë do të mund të kryejnë shërbime administrative në komunë.
Nga 1 korriku deri më 31 gusht duke e vazhduar traditën, Komuna e Vushtrrisë ka hapur sportelet administrative për mërgimtarë.
“Nga sot kemi filluar me shërbimet administrative për qytetarët e Vushtrrisë që jetojnë në Diasporë, do të punojmë me kapacitete të shtuara, ku mërgimtarët do të mund të kryejnë shërbime edhe të shtunën. Këtë vit do të kemi edhe shërbime shtesë. Diasporës i dëshiroj mirëseardhje, te ne do t’i gjejnë të gjitha shërbimet. Ne jemi përkujdesur që për Diasporën t’i sigurojmë edhe vend parkingjet e automjeteve”.
Drejtoresha e Administratës në Komunën e Vushtrrisë, Hana Mlinaku, tha se komuna ka shtuar kapacitetet për kryerjen e shërbimeve për mërgimtarët.
“Këtë vit e kemi parë të arsyeshme me zgjeruar edhe qendrën për shërbim me qytetarë me një sportel të veçantë, po ashtu edhe dy sportele i kemi ndarë
enkas, do të punojnë me shërbim të veçantë për bashkatdhetarët, por nuk do të thotë që ata nuk mund të shërbehen edhe në sportelet e tjera”.
Përgjatë këtyre ditëve mërgimtarët do të mund të kryejnë të gjitha shërbimet administrative.
“Të gjitha shërbimet do të jepen të shtunën, duke filluar nga regjistrimi i fëmijëve, regjistrimi i martesave, lëshimi i dokumenteve që të pajisen me pasaportë, letërnjoftim, të gjitha dokumentet që lëshohen ditëve të javës, për të gjitha ato dokumente do të shërbejmë edhe të shtunën”.
Për nder të mërgimtarëve Komuna e Vushtrrisë këtë vit ka organizuar edhe aktivitete kulturore.
“Kemi dy festivale, njërin në muajin korrik dhe njërin në muajin gusht dhe ato do të përcillen me aktivitete të ndryshme kulturore. Jemi munduar që në këtë sezon veror të presim diasporën që janë pjesë e familjeve tona sa mirë e sa më ngrohtë”.
Ndërkaq, me vendimin e kryetarit të komunës së Vushtrrisë, të gjitha bizneset në këtë qytet do të jenë të hapura edhe të dielën.