Përgatiti: Pranvera Krasniqi
5 deri në 10 barnatore janë në shërbim të qytetarëve pas mesnatës në Prishtinë.
Së bashku me këtë orar, Drejtoria e Shëndetësisë kishte premtuar krijimin e aplikacionit për gjetjen e barnatoreve të hapura, por një gjë e tillë as pas një muaji nuk ndodhi.
Aplikacioni, për të cilin kjo drejtori nuk pranoi të flasë, po kërkohet nga Oda e Farmacistëve.
“Është shumë e rëndësishme të ketë aplikacion dhe anketim për gjithë sistemin, apo rrjedhën e barnatoreve përmes telefonit t’i gjejnë direkt”, tha Jehona Hakaj, nënkryetare e Odës së Farmacistëve të Kosovës.
Në mungesë të Aplikacionit dhe për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve, Oda e Farmacistëve ka vendosur në dyert e barnatoreve nga një barkod me informata shtesë për barnatoret e hapura.
“Ky është një barkod, të cilin e kemi vendosur në shumicën e barnatoreve në Prishtinë, që sado pak të kenë mundësi ta dinë kohën kur janë të hapura, është mirë
që të jetë edhe në qytetet e tjera përveç Prishtinës”, tha Hakaj.
Sidoqoftë, qytetarët, kryesisht të moshuarit, nuk po e kuptojnë procedurën me barkode.
ATV-ja ka kuptuar se të gjitha pakënaqësitë e qytetarëve do të diskutohen gjatë plotësim-ndryshimit të Rregullores për kujdestarinë e barnatoreve, që do të mbahet pas një jave në Kuvendin Komunal të Prishtinës.