16.8 C
Pristina
E diel, 8 Shtator, 2024

​KOK dhe MKRS nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për Lojërat Mesdhetare

Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria për Kulturë, Rimi dhe Sport kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për organizimin e Lojërave Mesdhetare që do të zhvillohen në Kosovë në vitin 2030.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, deklaroi se kjo është një ngjarje historike për vendin tonë sepse bazuar në hapësirën territoriale që ka Kosova, ato kanë rëndësinë e njëjtë me Lojërat Olimpike që organizohen vitin e ardhshëm në Francë.

Ai shtoi se 19 komuna në Kosovë do të shndërrohen në qendra të mëdha sportive dhe se ato do të jenë përfituese të investimeve në infrastrukturën sportive ku do të përfshihen ndërtimi dhe renovimi i 24 objekteve sportive, duke përfshirë edhe ndërtimin e stadiumit nacional.

“Koncepti me të cilin kemi fituar aktualisht ka dy shtete dhe 11 komuna të cilat do të shndërrohen në qendra të këtij organizimi duke përfshirë 10 komuna në Kosovë dhe Durrësin në Shqipëri. Janë 24 objekte sportive, prej të cilave 10 do të rinovohen, përfshirë sallën e djegur të Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, katër të reja do të ndërtohen, përfshirë stadiumin nacional dhe kompleksin e pishinave olimpike, pesë të tjera të cilat janë në ndërtim e sipër, përfshirë stadiumin e Gjilanit dhe atë të Mitrovicës, pesë investime të përkohshme që do t’i shërbejnë sportistëve në disiplina të ndryshe, si 3×3 basketboll, lundrimi, çiklizmi dhe të tjera.”, theksoi Çeku.

I pari i MKRS-së, përsëriti se kostoja totale e investimeve në infrastrukturë do të arrijë vlerën prej 250 milionë euro, derisë bëri të ditur se në Kuvendin e Kosovës do të hartohet një ligj i veçantë për organizimin e kësaj ngjarje sportive.

Nga ana tjetër, presidenti Olimpik i Kosovës, Ismet Krasniqi, deklaroi se marrja e të drejtës së organizimit të Lojërave Mesdhetare ishte një premtim i dhënë nga udhëheqja e re e KOK ut, por deri tek ky rezultat kishte sfida të mëdha, sidomos për shkak të lobimit të madh nga ana e Serbisë kundër Kosovës në këtë proces dhe se për 55 votat pro të marra në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare u desh të bëhej fushatë e jashtëzakonshme nga ana e gjithë shtetit të Kosovës.

“Marrja e organizimit të një ngjarje kaq madhore siç janë Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” ka qene premtim dhe synim i imi dhe o bordit të tanishëm të Komitetit Olimpik të Kosovës që nga ardhja jonë në udhëheqje të lëvizjes olimpike…Ka një vit që jemi përballur me sfida të ndryshme për ta përjetuar së bashku këtë moment historik. Sfida më e madhe ishte mungesa e daljes në det e cila na penalizoi dhe na detyroi që ta ndryshojmë statutin e ICMG-së… Sfida e madhe edhe e pritshme ishte edhe ofensivë e madhe e Serbisë e cila me të gjitha forcat tentonte që ta parandalonte kandidaturën tonë”, theksoi Krasniqi.

E ngazëllyer që Kosova e ka fituar të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare u shpreh edhe kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi. Ajo para të pranishmëve apeloi që të punohet në maksimum që t’i tregojmë botës vlerat e Kosovës.

“Jam jashtëzakonisht e lumtur që sukseset e mëdha të sportistëve tanë po përcjellën edhe me organizime serioze në vendin tonë siç janë Lojërat Mesdhetarë ‘Prishtina 2030’. Unë po apeloj që t’i lëmë fjalët, t’i përvishemi punës që t’i tregojmë botës çfarë vlera kemi ne, jo vetëm si sport por edhe si komb, t’i mirëpresim njerëzit, qytetarët, sportistët ashtu siç dimë ne sepse ne shqiptarët mikpritjen e kemi virtyt, kështu që të punojmë në maksimum edhe të mos flasim shumë”, tha Kelmendi.

Kosova fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare me 55 vota pro dhe tetë kundër në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare të mbajtur më 8 shtator në Heraklon të Greqisë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA